Maqedoni

Deklaratat e Mickovskit për diasporën, Ademi: Duket se nuk e ka lexuar ligjin

07.04.2021 16:00

Deklarimet e vazhdueshme të liderit të VMRO-DPMNE-së se diaspora vetëm do të evidentohet...

Deklarimet e vazhdueshme të liderit të VMRO-DPMNE-së se diaspora vetëm do të evidentohet dhe nuk do të regjistrohet si pjesë e popullsisë së përgjithshme në vend, ka shkaktuar reagimin e partive politike shqiptare. Arbër Ademi nga BDI thotë se individët të cilët japin deklarime të tilla nuk e kanë lexuar Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë. 
 
“Të gjithë ata të cilët flasin për evidentim dhe joregjistrim të diasporës, kam përshtypje se fare nuk e kanë lexuar Ligjin për Regjistrim dhe Metodologjinë për regjistrim, sepse në ligj dhe në metodologjinë e regjistrimit në asnjë moment, në asnjë vend dhe në asnjë dispozitë nuk thuhet evidentim, por në të gjitha vendet thuhet regjistrim i diasporës dhe regjistrimi po vazhdon, dhe diaspora po regjistrohet. Të gjitha këto deklarata më duken absurde e aspak të qëndrueshme për arsyeshme sepse një gjë të tillë nuk e parasheh Ligji për Regjistrimin e Popullsisë e Amvisërive, por nuk e parasheh as metodologjia për regjistrim.”,- tha deputeti i BDI-së, Arbër Ademi.
 
Aziri: Ligji thotë se diaspora regjistrohet
 
Por, Ilmi Aziri nga ASH thotë se dy partitë maqedonase po u pengon që po regjistrohet diaspora shqiptare dhe të njëjtat po përgatisin ndryshim të metodologjisë, në të cilën lojë po futet edhe BDI. 
 
“Ne jemi të bindur që shtyrja e procesit të regjistrimit nuk ka ndodhur për shkak të pandemisë. Në ligj në mënyrë shumë precize është e potencuar se diaspora regjistrohet. Po dalin në sipërfaqe të gjitha dilemat tona se edhe deklaratat pas atij takimi edhe të Mickovskit edhe të Zaevit, janë në funksion të intervenimeve të mundshme edhe në metodologji por edhe në ligj. Fatkeqësia është se pjesa e kësaj tendence po bëhet edhe Ali Ahmeti dhe BDI. Për ne si koalicion opozitar është i papranueshëm çdo intervenim, qoftë në metodologji, qoftë në ligj.”,- theksoi Ilmi Aziri nga ASh. 
 
Por, edhe Ademi edhe Aziri kundërshtojnë kategorikisht mundësinë e ndryshimit të metodologjisë dhe vet ligjit të regjistrimit. Ata njëherit inkurajuan diasporën që të vazhdojë të vetëregjistrohet.  
 
FITIM KRYEZIU