Maqedoni
Kovid-19, 1740 pacientë në trajtim spitalor
07.04.2021 16:07
Në repartet infektive në Shkup dhe në spitalet në qytetet e tjera të vendit aktualisht po trajtohen 1740 Kovid pacientë...

Në repartet infektive në Shkup dhe në spitalet në qytetet e tjera të vendit aktualisht po trajtohen 1740 Kovid pacientë, ndërsa ka edhe rreth 260 shtretër të lirë, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë. Në 24 orët e fundit në qendrat-kovid në Shkup janë shtruar 81 pacientë të rinj për shkak të komplikimeve me virusin Korona. Gjithsej 698 persona të dyshimtë dhe të konfirmuar me Kovid-19 trajtohen në repartet infektive në kryeqytet. Një numër i madh i pacientëve janë në mbështetje të oksigjenit. Në Kovid-qendrat në spitalet në qytetet e tjera në 24 orët e fundit është raportuar se po trajtohen gjithsej 1.042 pacientë pozitiv dhe suspektiv ndaj virusit Korona.
Filipçe: Vaksinimi, mënyra e vetme për të mposhtur virusin
Vaksinimi është mënyra e vetme për ta mposhtur virusin, thotë ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, në Ditën Botërore të Shëndetësisë. Gjatë vizitës në Entin Geriatrik për të parë nga afër se si po zhvillohet procesi i vaksinimit të personave të moshuar, Filipçe informoi se deri më tani në të gjitha punktet në vend sistemi i vaksinimit është duke funksionuar siç duhet, ndërsa paralajmëroi se deri në fund të muajit vendi do të pranojë edhe vaksina shtesë.
“Vaksinat “Fajzer” i presim këtë muaj gjithashtu edhe ato kineze në fund të muajit. Të gjitha sistemet që funksionojnë për t’u vaksinuar si tek të vjetrit edhe tek infrastruktura kritike do të kenë vaksina shtesë. Në ndërkohë, sistemi i vaksinimit po funksionon mirë, po vazhdon vaksinimi nëpër të gjitha punktet në shtet. Në Arenën Sportive “Boris Trajkovski” po vaksinohen përfaqësuesit e Armatës dhe një pjesë e mësimdhënësve, ata të klasës së parë deri në të tretën.”,- tha Filipçe.
I pyetur lidhur me rritjen e çmimeve të ilaçeve për trajtim të Covid-19, ministri i shëndetësisë tha se mund të intervenohet vetëm tek ilaçet që janë në listën pozitive të Agjencisë për Ilaçe.
“Ato ilaçe që blihen në mënyrë private, me të vërtetë nuk kemi mekanizëm si t’i kontrollojmë, në këtë aspekt tashmë është hapur çështja për zëvendësimin e Heparinit dhe besoj që këtu do të gjejmë zgjidhje me Fondin.”,- theksoi Filipçe.
Filipçe po ashtu tha se shteti nuk ka një mekanizëm zyrtar për të urdhëruar spitalet private për të ulur çmimet.
REJHANE BUSHI METAJ
