Maqedoni

Kërçovë, rritet numri i të infektuarve, afaristët i respektojnë masat e reja kufizuese

07.04.2021 16:35

Në Spitalin e përgjithshëm në Kërçovë bëjnë të ditur se vetëm gjatë ditës së sotme janë evidentuar 19 raste të reja...

Në Spitalin e përgjithshëm në Kërçovë bëjnë të ditur se vetëm gjatë ditës së sotme janë evidentuar 19 raste të reja, ndërsa në hapësirat e Qendrës Kovid në Kërçovë janë shtruar për shërim 37 pacientë të infektuar me virusin Korona. Duke pasur parasysh këtë situatë serioze, afaristët e Kërçovës i respektojnë në tërësi masat e reja kufizuese. Situata epidemiologjike në komunën e Kërçovës është shumë serioze.
 
Nga 30 testimet e sotme të realizuara në Spitalin e Përgjithshëm në Kërçovë, 19 pacientë kanë rezultuar pozitiv, ndërkohë që numri i pacientëve të shtruar ka arritur në 37, njofton drejtori Stanko Tërpeski, i cili u apelon qytetarëve që të respektojnë në tërësi masat e reja kufizuese të qeverisë. Këtë situatë të rënduar, sidomos gjatë ditëve të fundit, si duket e kanë kuptuar drejt edhe afaristët vendor të cilët thonë se masat e reja duhet të respektohen, edhe pse këto masa, sipas tyre, do të kenë ndikim të madh në veprimtarinë e përgjithshme afariste të Kërçovës.
 
Sektori i Punëve të Brendshme në Ohër njofton se gjatë ditës së sotme Inspektorati Shtetëror i Tregtisë ka kontrolluar 37 subjekte hotelierike, ndërsa zyrtarët policorë kanë caktuar masa për dy qytetarë të cilët nuk e kanë respektuar orën policore dhe për 33 të tjerë që kanë lëvizur pa maska mbrojtëse.
 
SHABAN DALIPI