"Amnesty International”: Në RMV diskriminim etnik, fetar, gjinor...

07.04.2021 17:25

“Amnesty International” në raportin vjetor mbi Maqedoninë e Veriut....

“Amnesty International” në raportin vjetor mbi Maqedoninë e Veriut ngrit shqetësime në lidhje me mosndëshkueshmërinë, gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin ndaj grave, romëve dhe orientimit seksual. Edhe përkundër zbatimit të reformave, të caktuara nga Komisioni Evropian, për “Amnesty International” këto tema vazhdojnë të mbeten aktuale në vend.

“Diskriminimi i bazuar në etni, fe, gjini dhe orientim seksual vazhdoi, shpesh i nxitur nga pandemia. Gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi në mediat sociale shpesh shënjestronin qytetarë shqiptarë. Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut njoftoi një rritje prej 80% të fjalës së urrejtjes anti-islamike para zgjedhjeve dhe në korrik ngriti pesë akuza penale për përhapjen e urrejtjes.”,- thuhet në raportin e “Amnesty Internacional” për të Drejtat e Njeriut 2020.

Raporti kujton situatën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme që ishte vitin e kaluar nga mesi i marsit deri në zgjedhjet e korrikut, si dhe orën policore, por tha se ndalimi i tubimeve fetare ishte zbatuar në mënyrë selektive.

Kjo organizatë tregon se ndalimi i paligjshëm dhe presioni mbi refugjatët dhe migrantët kanë vazhduar.

Sipas tyre, gratë mbeten një kategori e prekshme në Maqedoni, veçanërisht në vendin e punës gjatë pandemisë.

Në raportin vjetor e “Amnesti Internasional” nënvizon se pandemia e Kovid-19 ka thelluar pabarazitë dhe abuzimet e të drejtave të njeriut. Organizata ka kritikuar BE-në dhe SHBA-në për ngujimin e tyre për të ndarë më shumë vaksina në vendet e varfra.

“Vendet e pasura dhe institucionet financiare ndërkombëtare duhet të sigurojnë që të gjitha vendet të kenë burimet e nevojshme për t'iu përgjigjur dhe rikuperuar nga pandemia, përmes shtyrjeve të borxheve ose fshirjeve”,- thuhet në raportin vjetor të “Amnesty International”. (Sanije Duraku, TVM2)