Mbyllja e sektorit të gastronomisë, Paunoski: Inspektorët janë në teren
Gastronomia është totalisht e mbyllur...

Gastronomia është totalisht e mbyllur me vendimin e fundit të qeverisë, ndërsa me këtë rreth 30 mijë persona që punojnë në këtë sektor do të mbeten pa të ardhura mujore.
Në ditën e parë të mbylljes së këtyre bizneseve, drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski, theksoi se edhe pas një viti pandemi akoma ka objekte hotelerike, por edhe qytetarë që nuk respektojnë protokollet për mbrojtje. Veprimet e këtyre subjekteve Paunoski i quajti kokëfortësi për të cilat vuan e gjithë gastronomia.
“Inspektorët janë për çdo ditë në terren dhe ajo që po na ndodh nga subjekte të caktuara për shkak të të cilave vuan e gjithë gastronomia, konsiderojmë se po bëjnë një kokëfortësi edhe ndaj vetes edhe ndaj qytetarëve por edhe ndaj inspektorëve të tregut. Ndaj tyre nuk kemi mëshirë dhe patjetër duhet të veprojmë sipas ligjit, ndërsa e shihni se pas vitit të ri deri më sot kemi mbi 78 ambiente të mbyllura pikërisht për shkak të mosrespektimit të protokolleve, punës jashtë orarit si dhe mosregjistrimit si tatimpagues.”,- tha drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski.
Magdalena Grashkoska - kryetare e Këshillit Inspektues, gjatë periudhës së kaluar Inspektorati i Tregut ka realizuar 5236 inspektime dhe ka ngritur 34 padi për kundërvajtje.
Ajo shtoi se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me hyrjen në fuqi të ndalimit të plotë të funksionimit të objekteve hotelierike, ndërsa inkurajoi inspektorët të mos tolerojnë nëse zbulojnë ndonjë mospërputhje ose mosrespektim të masave.
Josifovski: Shumë njerëz mund të mbeten pa punë
Nga Oda e Hotelierëve thonë se ndërprerja e punës paraqet rrezik që shumë të punësuar të mbeten pa punë.
“Besoj se një pjesë e hotelierëve nuk do të mund ta durojnë tërë këtë dhe për dallim nga hera e kaluar kur kishte rekomandime që të mos ç’lajmërojnë, përkatësisht t’i mbajnë të punësuarit, mosarritje e masave të pakos së pestë do t’i detyrojë t’i racionalizojnë, përkatësisht pjesën e të punësuarve që nuk janë esencial t’i largojnë.”,- u shpreh Zdravko Josifovski nga Oda e Hotelierëve.
Sindikata e Hotelerisë dhe Turizmit: Punëtorët të mos nënshkruajnë ndërprerjen e kontratave
Por, Sindikata e Punëtorëve të Hotelerisë dhe Turizmit pranë Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut në një reagim me shkrim iu bëri thirrje punëtorëve të mos nënshkruajnë çfarëdo dokumenti blanko për anulimin e kontratave të tyre të punës.
“Në opinion u plasuan informacione se shumica objekteve gastronomike i kanë ç’lajmëruar punëtorët, ndaj të cilës reagojmë fuqishëm. Punëdhënësit nga sektori i hotelerisë, të mos manipulojnë punëtorët nga ky sektor dhe ne i udhëzojmë punëtorët të mos nënshkruajnë me detyrim ose të kërcënojnë ndonjë dokument të zbrazët që punëdhënësit do të abuzojnë për të anuluar kontratat e tyre të punës.”,- theksojnë nga Sindikata e Punëtorëve të Hotelerisë dhe Turizmit. Nga Qeveria kanë bërë të ditur se do të ndihmojnë financiarisht sektorët e dëmtuar gjatë kësaj mbylljeje, por pa precizuar mënyrën dhe shumën e cila do të dedikohet për këto biznese. Për shkak të situatës, kanë njoftuar se në pushim kolektiv shkojnë industria e tekstilit, që përfshin rreth 6 mijë punëtorë. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
