Propozim-ligji për shtetësi, Aziri: Presim harmonizimin e qëndrimeve
Takimi midis kryeministrit, Zoran Zaev....

Takimi midis kryeministrit, Zoran Zaev, dhe krerëve të opozitës shqiptare për zhbllokimin e kuvendit pritet të realizohet në fillim të javës që vjen. Ndërkohë, nga ASH-Alternativa këmbëngulin në arritjen e një marrëveshje me pushtetin lidhur me propozim-ligjin për shtetësi.
Elmi Aziri nga ky koalicion tha se nuk do të ketë zhbllokim të kuvendit derisa nuk do të ketë gatishmëri nga institucionet që t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve.
“Jemi në pritje faktikisht edhe të takimit që të ndodhë këtë javë që ti shohim pozicionet dhe argumentet e reja të tyre ndërsa ne edhe atë ditë edhe kur do të ndodhë takim jemi të argumentuar me të gjitha propozimet që i kemi në propozim ligjin për ndryshimin, pra ne jemi të gatshëm për debat, jemi të gatshëm që t’i dëgjojmë argumentet. Vazhdojmë me bllokimin e parlamentit derisa nuk shohim gatishmëri nga institucionet që tu përgjigjen nevojave të qytetarëve.”,- deklaroi Elmi Aziri nga ASH-AAA.
Ademi: Opozita punon për interesa apartiake
Bllokimet e kuvendit nuk bëhen kur në pyetje janë interesat e ngushta partiake pasi që opozita shqiptare nuk po bllokon çdo ligj siç është zotuar, thotë Arbër Ademi nga BDI.
“Kur bëhet fjalë për interesa të ngushta partiake, ata nuk bllokojnë, e kur bëhet fjalë për mijëra e mijëra qytetarë, që presin mbështetje financiare nga shteti, në këtë krizë shëndetësore, socio-ekonomike, të paparë deri më tani, ata bllokojnë. Çdo parti politike në kuvend duhet të ketë qasje të përgjegjshme ndaj qytetarëve. Ne ofrojmë zgjidhje por nuk duam ta dëmtojmë procesin dhe presim që të reflektojnë dhe do ta pranojnë propozimin e qeverisë për zgjidhjen e këtij problemi.”,- u shpreh Arbër Ademi nga BDI.
Për shkak të mos procedimit të propozim-Ligjit për Shtetësi, ASh-AAA ka dorëzuar mijëra amendamente dhe kanë bllokuar disa ligje, përfshi edhe pakon e pestë të masave ekonomike. (Naim Ramadani, TVM2)
