Prishtinë, kompromise në prioritetet PDK – LDK

25.11.2014 12:04

Koalicioni i dy subjekteve më të mëdha politike në Kosovë, PDK dhe LDK, do t’i shtyjë të dyja partitë që të bëjnë lëshime të shumta në raport me premtimet dhe prioritetet kryesore që u kishin premtuar votuesve......

PDK-ja do të reduktojë dukshëm “misionin e ri” me gjithë premtimet bombastike, duke ulur nivelin e premtimeve për numrin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e pagave.

Kurse LDK-ja fillimisht do të heqë dorë nga premtimet populiste, siç ishin ndryshimi i himnit dhe flamurit të Kosovës dhe zëvendësimi i tyre me flamurin e ish-presidentit, Ibrahim Rugova dhe himnin “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”.

Po ashtu, LDK-ja kishte premtuar reduktimin e numrit të ministrive për të kursyer buxhetin. Por, lidhja e saj me PDK-në mund të shkaktojë efekt të kundërt, duke shtuar numrin e ministrive dhe duke e dëmtuar edhe më shumë buxhetin, për t’i rehatuar apetitet partiake.

Qeveria Thaçi “2”, ishte kritikuar në shumë raste nga ish-lideri opozitar, Isa Mustafa, për shpenzime të panevojshme, për shkak të numrit të madh të ministrive. Por, njoftimet e para flasin se qeveria e re mund të ketë edhe një apo dy ministri më tepër, pasi që përmes tyre do të plotësohen kërkesat e PDK-së, LDK-së, Listës Serbe dhe komuniteteve tjera pakicë.