Maqedoni
VMRO-DPMNE: MPB dha pasaporta edhe për mafian italiane
08.04.2021 13:33
VMRO-DPMNE akuzon se Valid Isa Hmais, që konsiderohet pastruesi kryesor i parave nga tregtia e kokainës për mafian italiane të drogës...

VMRO-DPMNE akuzon se Valid Isa Hmais, që konsiderohet pastruesi kryesor i parave nga tregtia e kokainës për mafian italiane të drogës, më 09 janar 2019 në Shkup , me procedurë të rregullt, mori pasaportë maqedonase me identitet të vjedhur të një maqedonasi nga Korça, Vurmo Taqo, i lindur në 1965. Ai përdori atë pasaportë dy herë në janar 2019 dhe u largua për në Turqi përmes Aeroportit Petrovec akuzojnë nga VMRO.
“Maqedonia u bë Kolumbia e Ballkanit. Kjo çështje nuk duhet të përfundojë vetëm me përgjegjësinë e zyrtarëve. Personat përgjegjës në Ministrinë e Brendshme dhe Qeverinë duhet të kishin dijeni për çështjen "Mafia". Pse nuk ka urdhër arresti për këta njerëz që morën pasaportë të ligjshme maqedonase me identitet të rremë? Pse Ministria e Brendshme nuk heton nëse ata kanë hapur llogari bankare? Pse, edhe pas insistimit të shërbimeve partnere të sigurisë, Spasovski dhe Ministria e Brendshme nuk morën asgjë për të sanksionuar këtë skandal? Këta mafiozë paguanin para për të marrë pasaportat, ku përfunduan ato para? Një gjë është e qartë, mafia dhe qeveria ishin dhe janë e njëjta gjë. Dhe prandaj duhet të ketë përgjegjësi.”. tha Vllado Misajllovski nga VMRO-DPMNE.
Zaev: Falsifikimet më të mëdha, në kohën e VMRO-DPMNE-së
Kryeministri Zaev hedh poshtë pretendimet e opozitës se bashkë me ministrin e Brendshëm, janë të involvuar në aferën me pasaportat ilegale. Zaev deklaroi se falsifikimet e pasaportave dhe dokumenteve tjera personale të ndërlidhura me rastin “Mafia”, kanë ndodhur në kohën kur në qeveri ishte VMRO-DPMNE.
“Nuk mund të akuzohet ministri për Punë të Brendshme, kryeministri dhe ngjashëm, posaçërisht kur kanë realizuar aksion të suksesshëm, sidomos kur kanë treguar dhe dëshmuar se aksioni ka zgjatur me muaj të tërë, me analizë, argumentim, që të mund t’i nxjerrin para gjykatës. Kur të shihni në analiza se kur kjo ka ndodhur, se kur janë bërë këto falsifikime të mëdha, madje me numra amzë të rrejshëm, do të shihni se kjo është gjatë kohës së regjimit, gjegjësisht gjatë kohës së sundimit të VMRO-DPMNE-së.”, tha Zoran Zaev, kryeministër.
