Botë

Greva në aeroportin e Rinasit, ateron avioni me vaksina, pasagjerët të premten

08.04.2021 15:13

Edhe mëngjesin e kësaj të enjtjeje, në aeroportin e Rinasit nuk është kryer asnjë fluturim

Edhe mëngjesin e kësaj të enjtjeje, në aeroportin e Rinasit nuk është kryer asnjë fluturim, pasi kontrollorët e trafikut ajror refuzuan të nisin punën për shkak të përgjysmimit të pagave. Pasagjerët kanë pritur me orë të tëra zhbllokimin e fluturimeve, duke deklaruar se rrezikojnë të humbasin punën në vendet ku jetojnë e punojnë.
Por pasdite situate është zhbllokuar. Fillimisht vetëm për fluturimet esenciale, ndërsa nga e premtja  edhe ato komerciale. Në pistë ateroi avioni me vaksina.
 
"Kjo situatë e rëndë dhe e jashtëzakonshme na ka bërë të kuptojmë se ka qenë një palë e organizuar për të pasur një bllokim deri në zgjedhje, por janë marrë të dhënat për të bërë një verifikim edhe me të thellë të situatës. Rëndësi ka që trafiku ka filluar punën dhe po zgjidhim hap pas hapi për të vënë në funksion njësitë e të kthehet çdo gjë në vijë.Nga ky moment do ulen ato avionë që janë esenciale, humanitare, shtetërore, ushtarake, shëndetësore, por ato komerciale, do të fillojnë nga nesër në mëngjes.", tha  Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës e Shqipërisë.
 
Policia ka arrestuar tre kontrollorë për shpërdorim detyre, ndërsa 27 të tjerë, janë lënë tashmë të lirë. Edhe kjo ngjarje është shfrytëzuar politikisht, duke risjellë përplasjet mes mazhoranës dhe presidentit e opozitës. Kryeministri Edi Rama ka akuzuar drejtpërdrejt kreun e shtetit Ilir Meta, si orkestrues i kësaj greve, para zgjedhjeve të 25 prillit.