Caktohen grupet e Copa America 2015

25.11.2014 12:16

Brazili me Kolumbinë, ndërsa Argjentina ndeshet me Uruguajin në fazën grupore të Copa America 2015........

Janë bërë të ditura grupet e Copa America 2015. Në Grupin A, përvec organizatorëve të turneut, u shortuan Meksika, Ekuadori dhe Bolivia, në Grupin B Argjentina do të ketë si rival kryesor Uruguain, fituesin në fuqi të Kupës së Amerikës, si dhe Paraguain e Xhamajkën.

Në Grupin C Brazili do të ketë si kundërshtarin më të fortë Kolumbinë, përfaqësuese të cilën e eliminoi në çerekfinale të Botërorit. Dy skuadrat e tjera që plotësojnë kuadrin e këtij grupi janë Peruja dhe Venezuela. Në bazë të rregullores, në fazën çerekfinale kalojnë 2 të parat e çdo grupi si dhe dy të tretat më të mira.

Risia e këtij turneu konsiston në heqjen e kohëve shtesë, duke përjashtuar vetëm finalen. Kjo do të thotë se nëse në çerekfinale ose gjysmëfinale 90 minutat do të përfundojnë në barazim, do të shkohet direkt te gjuajtja e 11-metërshave.

Kili, vendi organizator i turneut, do të ketë privilegjin që të gjitha sfidat e tij do t’i luajë në kryeqytetin Santiago.

Skuadra që ka më shumë trofe të Kupës së Amerikës është Uruguai që ka triumfuar në 15 edicione, më pas vjen Argjentina dhe Brazili me 14 dhe 8 trofe. Kupa e Amerikës do të zhvillohet prej 11 qershorit deri më 4 korrik.