Rikthehen emocionet e Ligës së Kampionëve

25.11.2014 12:25

Gara elitare e evropiane e futbollit, Liga e Kampionëve do të rikthehet sonte më ndeshjet e xhiros së pestë në grupin E, F, G dhe H........

Kryesfida e mbrëmjes do të luhet ndërmjet Manchester Cityt dhe Bayern Munichut, në kuadër të Grupit E.Për kampionët e Anglisë opsion i vetëm në përballje me kampionët e Gjermanisë është fitorja, sepse vetëm me pikët maksimale në këtë ndeshje ‘qytetarët’ mund të mbajnë gjallë shpresat për të siguruar kualifikimin në rrethin tjetër të garave, derisa ‘bavarezët’ qysh në xhiron e kaluar e kanë siguruar matematikisht kualifikimin pasi kanë tubuar 12 pikë.

Ndeshja e rëndësishme në këtë grup, pritet të jetë edhe sjo  mes CSKA Moskës dhe Romës, skuadra këto që kanë nga katër pikë të tubuara, dhe ekipi i cili do ta fitojë këtë sfidë do të bëjë hapin e madh për kualifikimin në rundin tjetër.

Në Grupin F, gjerat janë qartësuar qysh në xhiron e kaluar. PSG dhe Barcelona që kanë tubuar nga 10 pikë përkatësisht 9 pikë, e që kanë siguruar kualifikimin, do të përballen me Ajaxin dhe APOEL Nicosia.

Ndërkohë, ndeshje të forta dhe të rëndësishme do të luhen në Grupin G, ku do të takohen Schalke-Chelsea dhe Sportingu ndaj Mariborit.

Chelsea i Jose Mourinhos e cila kryeson tabelën më tetë pikë, do të sprovojë forcat me Schalken, e cila synim të vetëm në këtë takim ka trepikëshin e plotë, sepse vetëm me fitore mund ta mbajë hapin në garën për të siguruar një vend që dërgon në rrethin tjetër të garave.

Ndërkohë, e rëndësishme do të jetë edhe përballja në mes Sportingut dhe Mariborit të Agim Ibraimit. Skuadra nga Lisbona synon fitore kundër kampionëve të Sllovenisë, në mënyrë që të përfitojnë nga gabimi eventual i Schalkes në duel me Chelsean.

Në Grupin H, Porto dhe Shakhtar sfidën kundër BATE Borisov përkatësisht Athletico Bilbaos e luajnë vetëm formalisht, sepse portugezët me 10 pikë të tubuara, dhe ekipi i Shakhtarit me tetë, tashmë kanë siguruar kualifikimin për në rundin tjetër.