Maqedoni
BFI: Vaksina anti Kovid nuk e prish agjërimin
09.04.2021 13:56
Bashkësia Fetare Islame bën të ditur se sipas të gjitha analizave që janë bërë nga dijetarë islam...

Bashkësia Fetare Islame bën të ditur se sipas të gjitha analizave që janë bërë nga dijetarë islam, është marrë vendimi që vaksinat kundër Covid-19 nuk e prishin agjërimin.
“Marrë parasysh faktin se edhe këtë vit besimtarët islamë do të fillojnë agjërimin e Muajit të Ramazanit nën hijen e pandemisë Kovid-19 dhe me përpjekjen autoriteteve kompetente për stimulimin e imunitetit kolektiv përmes vaksinimit, Mexhlisi për Fetva pranë Rijasetit të BFI-së në RMV, duke shqyrtuar argumentet autentike islame dhe duke u konsultuar me fetvatë e qendrave dhe akademive shkencore islame, informon besimtarët islamë se të gjitha vaksinat kundër Koronës nuk e prishin agjërimin e agjëruesit edhe nëse merret gjatë ditës së agjërimit të Ramazanit.”,- thuhet në njoftimin e BFI-së.
Sipas këtij njoftimi, këto vaksina nuk depërtojnë në organizmin e njeriut përmes rrugëve natyrore të konsumimin të ushqimit dhe pijeve, por depërtojnë përmes gjilpërës, prandaj dijetarët islamë, duke u mbështetur në argumentet autentike, konstatuan se vaksinimi kundër Koronës nuk e prish agjërimin.
“Kjo përforcohet gjithashtu nga fakti se vaksina nuk ka as trajtim ushqyes e as vitaminoz, nuk arrin as në fytin e as lukthin e njeriut, prandaj edhe nuk e prish agjërimin.”,- thuhet në komunikatën e BFI-së.
Autoritetet e BFI-së apelojnë tek qytetarët që në rast se kanë efekte anësore nga vaksinimi, të veprojnë sipas udhëzimeve të mjekëve dhe nëse prishet agjërimi me përdorimin e ndonjë medikamenti tjetër, atëherë këtë ditë të agjërimit besimtarët mund ta kompensojnë me një ditë tjetër pas Ramazanit.
GYLTENE SINANI
