Maqedoni

Filipçe: Ka shënuar rënie numri i pacientëve me Kovid

09.04.2021 15:01

Ditëve të fundit ka shënuar rënia numri i Kovid pacientëve që janë në trajtim spitalor....

Ditëve të fundit ka shënuar rënia numri i Kovid pacientëve që janë në trajtim spitalor, bën të ditur ministri i shëndetësisë pas takimit me drejtorët e klinikave në Shkup.
 
 
 
“Këtyre ditëve është ulur numri i të hospitalizuarve në spitale, por kemi përgatitur kapacitete shtesë në spitale, si në Shkup, ashtu edhe në qytetet tjera.”,- ka shkruar ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, në facebook. Sipas ministrit virusi është i paparashikueshëm, prandaj institucionet shëndetësore mbeten vigjilent.
 
Dokiq: Më pak pacientë me gjendje të rëndë klinike
 
Rënie të numrit të pacientëve në trajtim spitalor ka konstatuar edhe mjeku, Dejan Dokiq, sipas të cilit vërehet rënie, sidomos e numrit të pacientëve me gjendje të rëndë klinike.
 
“Shpresoj se ky trend do të vazhdojë më tej, por ne kemi numër të mjaftueshëm të krevateve të lira, që kanë qasje te rrjeti për furnizim me oksigjen. Presim nëse vjen deri te nevoja më e madhe për vende të lira dhe rritje të numrit të pacientëve t’u mundësojmë vendosje dhe trajtim adekuat mjekësor në Institutin për Rehabilitim “Kozle”, ku janë përgatitur dy kate.”,- tha pulmologu, Dejan Dokiq. 
 
Lloji i virusit britanik ka rritur edhe numrin e të infektuarve tek të rinjtë, thotë Dokuq. 
                                                                                                                   
“Shkakton gjendje më të rëndë klinike, i prek edhe të rinjtë, por mund të them se të rinjtë janë me gjendje më të lehtë klinike në krahasim me të moshuarit, por është i paparashikueshëm. Është vërejtur se 10 deri në 15 ditë mundet që me pacientin gjithçka të jetë në rregull gjendja klinike dhe përnjëherë të përkeqësohet.”,- tha Dokiq.
 
Kovid 19, 1699 pacientë në trajtim spitalor
 
Aktualisht në nivel vendi në trajtim spitalor ndodhen 1699 pacientë, ndërsa ka edhe rreth 300 krevate të lira. Ndërsa në 24 orët e fundit në qendrat Covid në Shkup janë shtruar 67 pacientë të rinj, ndërsa në Kovid qendrat në kryeqendër po trajtohen gjithsej 686 pacientë. 
 
“Financial Times”: RMV, e treta në botë për numrin e vdekjeve
 
Ndërkohë, sipas “Financial Times“, Maqedonia e Veriut ndodhet në vendin e tretë në listën botërore për nga numri i vdekjeve nga COVID-19 me dy të vdekur në 100 mijë banorë. Në vendin e dytë ndodhet Bosnja dhe Hercegovina me 2.31 në 100 mijë banorë, ndërsa Hungaria është e para me 2.44 të vdekur në 100 mijë banorë. Sa i përket numrit të personave të infektuar, Maqedonia e Veriut është në vendin e 11 në botë me 52.8 persona në 100 mijë banorë, ndërsa para RMV-së në këtë listë ndodhet Turqia, Jordania, Estonia, Polonia, Qiproja, Serbia, Hungaria, Bahrejni dhe Urugai.
 
REJHANE BUSHI METAJ