Maqedoni

Skandali “Mafia”, Milloshovski: Kërkojmë revizion të rastit

09.04.2021 15:36

VMRO – DPMNE kërkon revizion nga ana e BE-së për skandalin “Mafia” për hyrje të personave të inkriminuar në Maqedoninë e Veriut....

VMRO – DPMNE kërkon revizion nga ana e BE-së për skandalin “Mafia” për hyrje të personave të inkriminuar në Maqedoninë e Veriut dhe pajisjen e tyre me pasaporta. Sipas deputetit, Antonio Milloshovski, ekspertiza që duhet bërë duhet të zbulojë lëshimet e sistemit kufitar i cili sipas tij rrezikon edhe regjimin pa viza. 
 
“Që ndonjë shtet anëtarë i BE-së, të mos suspendojë regjimin pa  viza për shtetasit e Maqedonisë, kërkojmë që Maqedonia të ftojë drejtorinë për punë të brendshme të BE-së dhe një ekip ekspertësh të vijë e të bëjë revizion të mbarë aferës. Kështu  do të zbulohej se cilat janë lëshimet e sistemit dhe si mundet një person me fletëarrest ndërkombëtarë të hyjë në Maqedoni pa u njohur, të merr dokument udhëtimi dhe të ik në drejtim që atij i përshtatet. Janë tre mashtrimet që i janë bërë sistemit të Interpolit dhe regjimit të vizave.”,- deklaroi deputeti i VMRO–DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
 
Kaevski: VMRO tenton të rrezikojë aksionin
 
Nga LSDM me kundërakuza duke etiketuar VMRO – DPMNE – në si simbol të skandaleve me dokumente udhëtimi. Sipas tyre partia e Mickovskit tenton të sabotojë dhe rrezikojnë aksionin. 
 
“Në gjithë procesin po bashkëpunohet me aleatët tonë strategjik që të zbardhen gjitha rrethanat me personat që jashtëligjshëm kanë marrë pasaportë maqedonase. Mickovski dhe VMRO – DPMNE gjithë këtë duan që ta rrezikojnë duke mbrojtur krimin.”,- u shpreh deputeti i LSDM–së, Darko Kaevski.
 
Nga LSDM thonë se vazhdojnë në luftën pa kompromis kundër krimit. Në mesin e personave që janë pajisur me pasaportë maqedonase është edhe shtetasi turk Sedat Peker, i cili sipas VMRO–DPMNE-së lirshëm ka lëvizur nëpër Shkup i shoqëruar edhe nga truproje policore.
 
Ambasada amerikane: Po bashkëpunojmë me MPB-në
 
Nga Ambasada e SHBA-ve në Shkup nuk komentojnë lidhur me këtë rast por konfirmojnë se po bashkëpunojnë me MPB-në dhe institucionet tjera. 
 
“Ne nuk komentojmë për hetime që janë duke u zhvilluar.  Ambasada amerikanë punon nga afër me MPB-në, si dhe me Ministritë e Qeverisë dhe Institucionet në RMV që të arrihen qëllimet e përbashkëta për të zbatuar ligjet dhe sundimi i së drejtës, duke llogaritur këtu edhe bashkëpunimin në zbatimin rajonal të ligjeve dhe luftës kundër terrorizmit”, kanë thënë nga Ambasada e SHBA-së në Shkup për REL. 
 
Ndërkohë autoritet turke mëngjesin e sotëm në Stamboll kanë nisur aksion për gjetjen e Peker duke arrestuar 40 persona. 
 
MERAL ISMAILI