Promovohet në Shkup ditari i Rexhep Qosjes

25.11.2014 15:35

Mbrëmë u promovua ditari i akademikut, Rexhep Qosja, “Dëshmitar në kohë historike”......

Ky ditar pikënisjen e tij e ka nga qindra fletore që ka shkruar Qosja që para 50 vitesh. Në këtë ditar përfshihen histori të luftës së Kosovës, zhvillimet në Shqipërisë dhe përpjekjet e të arriturave mbarëshqiptare deri në ditët e sotme.

“Ditari im është shkruar kryesisht në atë kohë dhe për atë kohë kur ne s’kemi mundur ta themi atë që e dëshirojmë, atë që e ëndërrojmë, atë që është e jona, ta themi padrejtësinë deri në fund që na është bërë dhe ta themi të drejtën që na takon, për shkak të asaj padrejtësie që na është bërë. Tani mund t’i themi këtu në Shkup, në Gostivar, në Tetovë, mund t’i themi kudo në Prishtinë, në Preshevë, në Mal të Zi, mund t’i themi kudo në Shqipëri, kjo është shumë e rëndësishme, ditari im i ka thënë kryesisht dhembjet tona, por aty i kam thënë edhe ëndrrat tona”- deklaroi akademiku, Rexhep Qosja.             

Nuk munguan as fjalët miradije për autorin nga të pranishmit në këtë promovim.

“Prof. Rexhep Qosja asnjëherë nuk ngurroi dhe nuk u frikësua që të thotë mendimin e vet prej intelektuali dhe humanisti lidhur me proceset e shumta politike, kurrë nuk heshti për dhunën e terrorit që ishte bërë përditshmëri në Kosovë gjatë regjimit komunist, por nuk rreshti as së kritikuari ata të cilët për interesa të tyre herë-herë kishin gabuar rrugën, duke iu shmangur nevojave të vërteta të vendit dhe kombit”- tha kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

“Do të doja me shumë pak fjalë të tregoja për këtë ditar që është histori e treguar për herë të parë për një njeri i cili preferon të mos flasë për veten, madje nuk flet kurrë”- tha gazetarja, Rudina Xhunga.

“Ideja e bashkimit kombëtar u bë objekt kryesor nëpër tekstet e librat e tij, forumet, tryezat e debatet e ndryshme brenda dhe jashtë opinionit shqiptar. Mendimet e Qosjes u bënë një lloj busulle se kah duhet të ecin shqiptarët, u bënë një shkollë filozofike shqiptare për një brez të tërë idealistësh”- u shpreh drejtori i Institutit për Trashëgimi Kulturore, Skender Hasani.

Në këtë promovim u prezantua edhe një pjesë e dokumentarit kushtuar rilindësit të kohës sonë, Rexhep Qosjes, nga gazetarja, Rudina Xhunga, ndërsa dokumentari i plotë do të shfaqet më 28 nëntor, në ditën e pavarësimit të shqiptarëve. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)