Botë
Covid-19, në Evropë shifra të larta infektimesh
09.04.2021 16:33
Vendet evropiane vazhdojnë të regjistrojnë shifra të larta të personave me Kovid-19 përfshi edhe vdekshmërinë....

Vendet evropiane vazhdojnë të regjistrojnë shifra të larta të personave me Kovid-19 përfshi edhe vdekshmërinë. Polonia raportoi 954 vdekje të tjera nga virusi korona, shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë. Ndërkohë ne Francë vala e tretë pritet të arrijë kulmin më 20 Prill. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet që të miratojë një ligj të ri që lejon vendosjen e kufizimeve shtesë anti-Covid, në rajonet me numër të lartë të infektuarish. Kancelarja planifikon të marrë kontrollin nga shtetet federale për të vepruar në bazë të situatës epidemiologjike. Ndërkohë ministri i shëndetësisë tha se Gjermania duhet të vendosë masa në të gjithë vendin për të mbajtur nën kontroll valën aktuale.
“Ne kemi nevojë për një bllokim, rikthimi i orës policore mund të jetë i nevojshëm për të zvogëluar më tej kontaktet shoqërore. Rreth 4,500 pacientë janë të shtruar në kujdesin intensiv në Gjermani, dhe nëse numri i tyre rritet kjo do të përkeqësojë edhe më tepër sistemin shëndetësor në vend.”,- tha ministri i shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn.
Në Brazil brenda 24 orëve janë regjistruar 86.652 raste të reja ndërsa brenda 24 orëve kanë humbur betejën me Covid-19, 4.249 persona, shifër kjo e cila është regjistruar si më e larta e vdekjeve ditore që nga fillimi i pandemisë në Brazil.
COVAX: U shpërndanë vaksina në 100 vende të botës
Struktura COVAX, e cila është një iniciativë globale për të siguruar vaksinat Covid-19, ka shpërndarë vaksina për të shpëtuar jetën e qytetareve në mbi 100 vende të botës. Deri tani, janë dorëzuar më shumë se 38 milionë doza në gjashtë kontinente, nga tre prodhues, AstraZeneca, Pfizer-BioNTech dhe Instituti Serum i Indisë, i cili prodhon vaksinat e Oxford.
Nga mbi 100 vende, 61 janë me të ardhura më të ulëta që marrin vaksina të financuara përmes angazhimit Gavi COVAX. COVAX synon të furnizojë të gjitha ekonomitë pjesëmarrëse që kanë kërkuar vaksina, në gjysmën e parë të 2021, me gjithë vonesat në dërgesat e planifikuara për Mars dhe Prill. OBSH ka bërë të ditur se COVAX pret të dorëzojë të paktën dy miliardë doza vaksinash në 2021. Për të arritur këtë qëllim, kjo strukturë do të shpallë marrëveshje të reja me prodhuesit e vaksinave në kohën e duhur.
REJHANE BUSHI METAJ
