“Muri i kujteses” dhe parku “Hasan Prishtina”, shpalosen në Bllacë të Hanit të Elezit

10.04.2021 17:56

Fotografia e cila 22 vitë më parë u bë simbol i vuajtjes së gruas shqiptare....

Fotografia e cila 22 vitë më parë u bë simbol i vuajtjes së gruas shqiptare, u bë e pavdekshme në vendin ku qindra mijëra shqiptarë të Kosovës u dëbuan me dhunë nga forcat serbe dhe u ndalën në Bllacë të Hanit të Elezit.

Kjo ngjarje përkujtohet si ndër ngjarjet më të tmershme që i ka ndodhur popullit shqiptarë të Kosovës.

Foshnja në fotografi ishte rritur dhe bashkë me nënën e saj morrën pjesë në shpalosjen e mozaikut “Muri i Kujtesës”

Përveç “Murit të Kujtesës” në Bllacë u inaugurua edhe parku “Hasan Prishtina”. Sipas drejtorit të ITKSh-së, Skender Hasani kjo do ti shërbejë kujtesës sonë, jo vetëm për të freskuar të kaluarën, por për të mësuar edhe hapat nga duhet të shkojmë në të ardhmen.

“’Muri i Kujtesës’ dhe Parku ‘Hasan Prishtina’ e mbushin këtë hapësirë me dy nocionet më domethënëse sociologjike-politike: Në njërën anë kemi dimensionin e sakrificës dhe flijimit popullor, e portretizuar në fytyrën e një gruaje, e cila duke u bërë objekt i një fotografie që bëri xhiron e botës, në fakt, ajo po e ndërkombëtarizonte dimensionin e vuajtjes kolektive të shqiptarëve, si pasojë e trajtave më çoroditëse të spastrimit etnik që atë botë Serbia pe e zbatonte me zell të pakursyer; Në anën tjetër, kemi parkun “Hasan Prishtina”, i cili brenda simbolikës së vet risjell në vëmendjen tonë një figure madhore të kombit, siç ishte Hasan Prishtina” – u shpreh Drejtori i ITKSh-së, Skender Asani.

Në Bllacë, dy vite më parë u përurura edhe Treni Bllaca 99, që përkujton udhëtimin e tmerrit që shqiptarët e bënë më 10 prill të vitit 1999. (Ersan Pajaziti, TVM2)