Rekomandimi i OBSH: Kundër imunizimit me dy vaksina të ndryshme
Organizata Botërore e Shëndetësisë....

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk rekomandon imunizimin kundër COVID-19 me dy lloje të vaksinës. Zëdhënësja e OBSH-së, Margaret Harris tha se nuk ka ende të dhëna të mjaftueshme mbi rreziqet e mundshme, nëse një person merr dozën e parë të vaksinës Astra Zeneca ndërsa të dytën të ndonjë prodhuesi tjetër.
Harris iu referua një rekomandimi paraprak të një paneli ekspertësh të OBSH-së të bërë në muajin shkurt.
Ekspertët kanë bërë thirrje për më shumë hulumtime lidhur me përdorimin e një përzierjeje të vaksinave.
“Nuk ka ende të dhëna të mjaftueshme mbi rreziqet e mundshme, por ka dyshime dhe është shumë më mirë të shmangim këtë veprim derisa të dalin rezultatet e hulumtimit. Nuk është e preferueshme qe një person të merr dozën e parë të vaksinës Astra Zeneca ndërsa të dytën të ndonjë prodhuesi tjetër” – tha zëdhënësja e OBSH-së, Margaret Harris.
Edhe pse OBSH rekomandoi që imunizimi të behet me një lloj vaksinë dhe jo dy të përziera, ministri i Shëndetësisë në Francë njoftoi se personat nën moshën 55-vjeçare që kishin marrë dozën e parë të Astra Zenecas, si dozë të dytë do të merrnin një vaksinë tjetër.
Edhe Gjermania po mendon të veprojë në mënyrë të ngjashme me personat mbi 60 vjeç. Një sërë shtetet kanë kufizuar përdorimin e vaksinës, mes raportimeve për raste të rralla të mpiksjes së gjakut. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
