Bllokimi i pakos së pestë ekonomike, Sela: Opozita mund të bllokojë vetëm tri ditë

11.04.2021 14:24

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela...

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, demanton se opozita shqiptare ka bllokuar pakon e pestë të masave ekonomike. Ai për “Evropën e Lirë” thotë se si koalicion kanë parashtruar amendamente, por me rregullore parashihet që në Komisionin amë për Financa dhe Buxhet propozimin për pakon e pestë ta debatojë tri ditë dhe amendamentet e pashqyrtuara automatikisht hidhen poshtë.

“Është gënjeshtër ajo se ne kemi bllokuar, sepse ne sado që të duam ta bllokojmë, ajo vlen tri ditë, të gjitha amendamentet pas tri ditësh debat, ato që mbeten pa u demantuar hidhen poshtë dhe mund të vazhdojnë ta japin atë ndihmë te qytetarët. Por, me sa duket ata nuk kanë para dhe tani kërkojnë strehë te kjo që e bën Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.”,- tha kryetari i ASH-së, Ziadin Sela.

Sela njëherit thekson se do të vazhdojnë me bllokimin e ligjeve derisa propozim ligji i tyre për shtetësi vazhdon të mbetet i bllokuar me amendamente. Sa i përket asaj se shumë njerëz për shkak të bllokadës kanë mbetur pa rroga, Sela thotë se njerëzit pa shtetësi prej 30 vitesh nuk gëzojnë asnjë të drejtë qytetare.

“Këta njerëz për të cilët flas unë, 30 vite nuk kanë marrë kurrfarë rruge. Ata nuk kanë të drejtë as të konkurrojnë për punë, nuk kanë të drejtë në sigurim shëndetësor e nuk kanë të drejtë as për krevat që të vdesin në spital. Edhe këta janë qytetarë të cilët sigurisht se janë në kushte shumë më të vështira se sa kategoritë tjera të qytetarëve.”,- u shpreh kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.

Për të hënën është paralajmëruar përpjekja e radhës mes kryeministrit Zaev dhe liderëve opozitës shqiptare, Sela dhe Gashi, për të harmonizuar qëndrimet rreth Ligjit për Shtetësi, që do të nënkuptonte edhe zhbllokim të punës së kuvendit.  (Sanije Duraku, TVM2)