Afera “Mafia”, VMRO: Me pasaportë të RMV-së, pjesëtarë të ISIS-it

11.04.2021 14:55

Ministria e Brendshme gjatë vitit 2018 ka furnizuar me pasaportë false...

Ministria e Brendshme gjatë vitit 2018 ka furnizuar me pasaportë false shtetasin e Kosovës, Fitim Dema. Këtë e kumtojnë nga VMRO – DPMNE, duke akuzuar edhe ministrin e brendshëm, Oliver Spasovski, për përfshirje në aferën “Mafia”.

Sipas VMRO- DPMNE-së, furnizimi i Demës, anëtar i ISIS-it, me pasaportë paraqet rrezik për shtetin dhe rajonin, andaj kërkojnë që skandali të përfundojë jo vetëm me padi, por edhe përgjegjësi politike, dorëheqje të ministrit Spasovski.

“Spasovski dhe MPB kanë mundësuar që të vidhen identitetet dhe të jepen pasaporta personave luftëtarë në Siri, anëtarë të ISIS. Në shkurt të vitit 2019 në portin e Vlorës, Fitim Dema me pasaportë të Maqedonisë është arrestuar. Në Siri ka qenë i njohur si bashkëpunëtor i afërt i Lavdrim Muhaxherit.”,- deklaroi deputeti i VMRO–DPMNE–së, Antonio Milloshovski.

LSDM: Organet kompetente të hetojnë rastin

Nga LSDM ftojnë institucionet që të hetojnë akuzat e VMRO – DPMNE-së, ndërkohë vazhdojnë me etiketimet e opozitës si bashkëpunëtorë të krimit.

“Mbarë aksioni përfundoi me sukses. Mickovski doli me detaje për aksionin dhe u përpoq që ta dëmtojë. Të gjitha informacionet që arrijë në opinion, presim që institucionet përkatëse t’i hetojnë dhe të veprojnë.”,- tha Stefan Vasev nga LSDM.

Sekuestrimi i marihuanës, VMRO: Droga u transportua nga ndërmarrje e Zaevit

VMRO–DPMNE nga pushteti kërkoi edhe përgjegjësi për përfshirje eventuale të kushërinjve të kryeministrit në transportimin e marihuanës së sekuestruar dy ditë më parë.

“Droga ka ardhur drejtpërdrejtë nga Ndërmarrja “Medikal 420” nga Manastiri, e licencuar nga kryeministri Zaev. Sipas informacioneve tona, gjatë ekspertizës kanë munguar mbi 10 mijë degë marihuanë, gjegjësisht mbi 200 kg marihuanë. Andaj edhe publikisht pyesim se furgoni me të cilën transportohej marihuana a është pronë e ndërmarrjes, partner të Trajçe dhe Boban Zaev.”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO–DPMNE–së, Dimçe Arsovski.

Trajçe Zaev mohoi përfshirjen

Por nga LSDM kanë deklaruar se familja Zaev nuk ka kurrfarë lidhjesh me aksion për kapjen e drogës, ndërsa e kanë akuzuar VMRO-DPMNE-në për plasimin e lajmeve të rreme. Akuzat i mohoi edhe i apostrofuari Trajçe Zaev, nëpërmjet profilit të tij në facebook.

“Furgoni i përmendur në aksionin e MPB-së nuk është pronë e ndërmarrjes së familjes Zaev. Unë nga 23 marsi jam në udhëtim zyrtar në Emiratet e Bashkuara Arabe, me qëllim zgjerimin e punës së kompanive tona, hapjen e tregjeve të reja të produkteve maqedonase.”,- ka shkruar Trajçe Zaev.

Policia kumtoi se gjatë aksionit policor të realizuar me agjencinë amerikane DEA, sekuestruan 200 kilogram marihuanë, vijuan padi penale kundër gjashtë personave dhe u bastisën shtëpitë e tyre si dhe dy fabrika për prodhimin e kanabisit medicinal në Prilep dhe Manastir. (Meral Ismaili, TVM2)