Vaksinimi anti-Kovid, nesër vaksinohen gazetarët

11.04.2021 15:40

Në Sallën Sportive “Boris Trajkovski”....

Në Sallën Sportive “Boris Trajkovski” vijon vaksinimi i grupeve prioritare nga infrastruktura kritike – përkatësisht njerëzit që kanë më shumë kontakte në punë dhe që janë më të rrezikuar nga prekja e virusit.

Të hënën në mëngjes, në terminin mes orës 08:20 dhe 10:30 do të vaksinohen gazetarët dhe punonjësit mediatik. Në këtë grup janë të përfshirë personat të moshës mbi 40 vjeç dhe ata që kanë sëmundje kronike, që përfshin 631 persona. Procesi i vaksinimit do të vazhdojë gjatë javës me punonjësit e prokurorisë, gjykatave dhe shërbimeve të inspektimit.

Qytetarët, qëndrime të ndara rreth vaksinimit

E derisa vijon vaksinimi i këtyre grupeve, qytetarët e anketuar nga TVM shprehen se janë të gatshëm të vaksinohen, por një gjë e tillë kërkojnë të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa si preferencë kanë vaksinën ruse dhe atë kineze.

“Do vaksinohesha pa asnjë problem. Nuk kam ndonjë preferencë, nuk ka rëndësi a është ruse apo kinse.”,- tha një qytetar. 

“Duhet të gjithë të vaksinohemi, por duhet sa më shpejt që të mos vijë shtatori, pasi atëherë do të vijë virusi tjetër. Preferoj vaksinën ruse ose kineze.”,- u shpreh një qytetar. 

“Nëse do të kisha mundësi të zgjedh, do të zgjidhja “Sputnik” ose kinezen nga “Sinofarm”.”,- theksoi një qytetar.

“Mendoj që të gjithë duhet të vaksinohemi. Unë kam 60 vjeç dhe do të vaksinohem.”,- potencoi një qytetar. 

E disa qytetarë të tjerë shprehen se fare nuk duan të vaksinohen.

“Për momentin me asnjërën, më vonë do të shohim.”,- u shpreh një qytetar. 

“Qëndrimi im për vaksinimin është që të mos vaksinohem fare. Atë qëndrim e kemi bashkë me bashkëshortin. Nëse do jetë patjetër, atëherë do ta marrim, ndryshe nuk do ta marrim.”,- deklaroi një qytetare.

Vaksinimi anti-Kovid, gjatë muajit priten sasi të reja vaksinash

Sipas paralajmërimeve, këtë muaj në vend pritet të arrijnë rreth 300,000 vaksina anti-Covid:

-           200,000 nga kompania kineze “Sinofarm”; 

-           11,000 nga marrëveshja e drejtpërdrejtë me “Fajzer”;

-           25,000 vaksina përmes marrëveshjeve trepalëshe me vendet anëtare të BE-së, sasi e re nga “Sputnik” dhe doza të tjera të “Astra Zeneka”-s përmes sistemit Kovaks.

Paralelisht nëpër qendrat shëndetësore në vend vijon edhe vaksinimi i personave mbi moshën 77 vjeç me vaksinën “Astra Zeneka”.  Autoritetet vazhdojnë të bëjnë thirrje qytetarëve që të paraqiten për t’u vaksinuar kundër Covid-19, duke vlerësuar se me vaksinimin e një numri sa më të madh të qytetarëve do të arrihet imuniteti kolektiv. Për momentin në të gjitha punktet për vaksinim po vaksinohen nga 3 mijë deri në 4 mijë persona në ditë, ndërsa plani i MSh-së gjatë periudhës në vijim është që kjo shifër të rritet dhe të jetë diku nga 7 mijë deri në 10 mijë persona në ditë. (Zekirja Mexhiti, TVM2)