Prishtinë, filloi vaksinimi i grupmoshës 80-84 vjeç

11.04.2021 16:04

Në Sallën “1 tetori” në Prishtinë....

Në Sallën “1 tetori” në Prishtinë, ka filluar vaksinimi i grupmoshës prej 80 deri në 84 vjeç. Paraprakisht nga 8 prilli u realizua vaksinimi i personave mbi 85 vjeç, ndërsa deri tani janë vaksinuar 668 persona.

“Sot kemi startuar me të moshuarit me grupmoshat 80-84 vjeçare dhe aktualisht vaksinimi ka ecur siç është më së miri dhe edhe me këtë ritëm po ecë edhe sot. Kemi të vaksinuar 100 persona me këtë grupmoshë, ndërsa në total me grupmoshat mbi 85 dhe edhe këta mbi 80 vjeçare e sipër, ka shkuar numri deri në 668 persona të vaksinuar.”,- tha koordinatori i Qendrës së Vaksinimit, Niman Bardhi.

Vaksinimi në Kosovë po realizohet me vaksinat anti-Covid të “AstraZeneca”, pasi nga sistemi Kovaks ka pranuar 24 000 doza të vaksinave. Por, në rrethana kur vala e tretë e virusit Korona ka rritur në rreth 14 mijë numrin e rasteve aktive në Kosovë, që detyroi autoritetet kosovare të vendosin masa kufizuese, përfshi ndërprerjen e punës së sektorit të gastronomisë, një numër i madh i qytetarëve kanë vendosur ta kalojnë ditën në Parkun e Qytetit në Prishtinë.

Po ashtu një numër i madh vendosën që vikendin ta kalojnë në Shqipëri. (Gyltene Sinani, TVM2)