Maqedoni
Ademi, i vendosur për testimin e studentëve
25.11.2014 16:26
Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, është decid se dikasteri që drejton ai edhe kundrejt reagimit të studentëve përmes protestave...

Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, është decid se dikasteri që drejton ai edhe kundrejt reagimit të studentëve përmes protestave, nuk do të zmbrapset nga vendimi për zbatimin e testimit shtetëror në arsimin e lartë.
Ademi, ka nënvizuar se në kuadër të propozimit përfundimtar për aplikimin e provimit shtetëror dy herë gjatë studimeve, në fund të vitit të dytë dhe në fund të studimeve, do të përfshihen sugjerimet konstruktive, që dalin nga debati publik për këtë çështje, me qëllim që zgjidhja të jetë e pranueshme për të gjithë.
“Ne kemi pasur edhe prononcime të tilla, që mund të lënë të kuptosh se ne jemi tërhequr nga kjo ide, por më duhet të theksoj se nuk është ashtu, sepse qëllimi kryesor është që të hapet një debat dhe nga debati të merren propozimet konstruktive, pikërisht atë po bëjmë ne, po i pranojmë disa nga sugjerimet e dala nga këto debate”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Sipas Ademit, provimi shtetëror do të jetë mekanizëm i rëndësishëm, që do të ndikojë në ngritjen e cilësisë në fakultete, përkatësisht diplomat mos të paraqesin vetëm letër, por të njëjtat të jenë konkurruese në tregun e punës jo vetëm në vend, por edhe më gjerë.
“Edhe kur e promovuam idenë e aplikimit të promovimit shtetëror, theksuam se qëllimi kryesor është ngritja e cilësisë së arsimit sipëror, njëherësh për të ndërtuar mekanizma juridik, që me diplomë universitare të pajisen vetëm studentët që e meritojnë, përkatësisht studentët që realisht studiojnë. Parimet kryesore nga të cilat ne udhëhiqemi është që me testimin shtetëror të mos cenohet autonomia e universitete, të mos cenohet procesi i Bolonjës dhe ajo që ky vendim mos të vlejë për studentët të cilët veç më kanë filluar studimet dhe sigurisht provimi shtetëror mos të paraqesë ngarkesë për vetë universitet”- tha Ademi.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, ka sqaruar se aplikimi i provimit shtetëror është zbatuar në vendet të cilat së fundmi janë kyçur në familjen evropiane, si Çekia, Polonia dhe Hungaria, vende ku kanë rezultuar si mekanizëm efikas për ngritjen e cilësisë së arsimit, ku vetëdija e qytetarëve nuk ka qenë në nivelin e duhur sa i përket faktit se pajisja me dije është më e rëndësishme sesa pajisja me një diplomë.
LUMTURIJE HAJRO
