Shoqata “Kalliri i Mirësisë” ndihmon skamnorët e Kërçovës me produkte ushqimore
Shoqata “Kalliri i mirësisë” ka filluar aksionin humanitar...

Shoqata “Kalliri i mirësisë” ka filluar aksionin humanitar që organizohet për nder të muajit të Ramazanit. Për familjet e varfra të Kërçovës në këtë periudhë të krizës së rëndë ekonomike dhe shëndetësore, kjo shoqatë do të ndajë 200 pako me produkte ushqimore.
Duke pasur parasysh gjendjen e rënduar ekonomike, të thelluar edhe më tepër me krizën e pandemisë globale, shoqata humanitare “Kalliri i Mirësisë“ brenda këtyre tri ditëve, për familjet e varfra të Kërçovës do të ndajë 200 pako me produkte ushqimore.
Është ky një aksion tradicional që shoqata “Kalliri i Mirësisë” e organizon për çdo vit për nder të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Por ky aktivitet humanitar sivjet realizohet në një periudhë të krizës ekonomike dhe shëndetësore, për të ndihmuar sadopak familjet në nevojë të kësaj ane.
Do të ndahen gjithsej 200 pako me produkte ushqimore, prej të cilave 150 pako me vlerë prej 2000 denarëve do t’ju shpërndahen familjeve me më pak anëtarë, ndërsa 50 pako në vlerë prej 6000 denarëve do t’ju jepen familjeve të varfra shumë anëtarëshe, potencuan përfaqësuesit e kësaj shoqate, Muhamet Mehmedi dhe Bujar Alili.
Ndihmat që do të shpërndahen gjatë këtyre ditëve për familjet skamnore të Kërçovës, janë siguruar nga Qendra Islame në Zvicër, shoqatat kërçovare që veprojnë në diasporë dhe nga disa kompani afariste të Kërçovës. (Shaban Dalipi, TVM2)
