Aleatët e NATO-s ndjekin me shqetësim stërvitjet e ushtrisë ruse

11.04.2021 18:45

Dislokimi i ditëve të fundit...

Dislokimi i ditëve të fundit i trupave ruse në kufijtë perëndimorë me Ukrainën, por edhe prania e shtuar e forcave të armatosura ruse në Krimenë e aneksuar në vitin 2014 kanë shqetësuar aleatët e NATO-s.

Përmes postimeve në Twitter, krerët e diplomacive amerikane dhe britanike dënojnë stërvitjet ushtarake që po kryen nga Rusia.

Ata thanë se kishin komunikuar në telefon për këtë çështje ku kishin rënë dakord t’i bënin thirrje Rusisë që të ulë tensionet në rajon.

Deklaratat e kryediplomatëve të Uashingtonit dhe Londrës vijnë një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky, bisedoi në Stamboll me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan për këto tensione. Kreu i shtetit turk e konsideroi situatën shqetësuese, ndërsa tha se kriza mund të zgjidhet në mënyrë diplomatike.

Ai theksoi se Turqia nuk e njeh Krimenë si pjesë të Rusisë. Por, Kremlini thotë se perëndimi nuk ka pse shqetësohet për lëvizjet që bën ushtria ruse brenda hapësirës territoriale të Rusisë. Por, Moska i vlerëson si provokime të rrezikshme, deklaratat e presidentit Zelensky se Ukraina duhet të anëtarësohet në NATO.