Maqedoni

Kosova dhe Maqedonia, përplasje për aviotransportin

25.11.2014 16:46

Kosova dhe Maqedonia përplasen për shkelje të rregullave në transportin ajror...

Qeveria e Kosovës ka paditur Qeverinë e Maqedonisë në Komisionin Evropian, për shkak të subvencionimit të aviobiletave të udhëtarëve.
 
Sipas Qeverisë kosovare, kjo shkel rregullat e konkurrencës sipas ligjeve të BE-së. Zyrtarë të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, kanë thënë se presin që shumë shpejt kjo ankesë të marrë zgjidhje pozitive.
 
Ky hap i ndërmarrë nga autoritetet kosovare, u bë i ditur në një debat të organizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, “STRAS”, në lidhje me përfitimet që u nxorën nga koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.
 
Pas lajmit se Kosova ka paditur Maqedoninë, ka reaguar Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e Maqedonisë. Në një reagim me shkrim, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thotë se procedura e subvencionimit të kompanive ajrore vendase dhe të huaja është analizuar me shumë kujdes përpara se ajo të realizohej dhe se është në përputhje me ligjet dhe rregullat e BE-së.
 
“Me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës të Kosovës, në vitin 2012, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e Maqedonisë i dërgoi asaj një shkresë, ku bëri sqarimin e normave ndërkombëtare juridike, në bazë të të cilave zbatohet projekti për financimin e kompanive ajrore. Shkresa tregon qartas se nuk janë shkelur ligjet e BE-së”, thuhet në reagim.
 
Njëherit, në reagim thuhet se Qeveria e Maqedonisë do të vazhdojë zbatimin e këtij projekti, me qëllim që të rrisë numrin e fluturimeve direkte drejt vendeve të Evropës, me çmime të kapshme për udhëtarët nga Maqedonia.
 
BESIM ABDULLAI