Promovohet libri “Shkrimtarët e shekullit” i Rudina Xhungas

25.11.2014 16:46

“Shkrimtarët e shekullit”, është titulluar botimi i ri i shkrimtares dhe gazetares, Rudina Xhunga, një përmbledhje e intervistave të realizuara me shkrimtarë vendas dhe shkrimtarë me renome ndërkombëtare.....

Përkushtimin e saj në emisionin televiziv e ka radhitur në një libër, ku përshkruan në detaje eksperiencën e saj, por edhe jetën dhe veprat e shkrimtarëve të shquar.

“Janë 31 intervista me 29 personazhe, pasi dy personazhe janë pëlqyer aq shumë, sa i intervistova dy herë, është Orhan Pamuk dhe Roberto Saviano. Ka të tjerë që do të doja t’i intervistoja sërish, por kaq për një vëllim të parë, me siguri do të ketë edhe një vëllim tjetër”- deklaroi shkrimtarja, Rudina Xhunga.

“Në emrin tim dhe të qytetarëve të Çairit, uroj që sa më shpesh krijuesit, letrarët, vlerat të cilat prodhohen në shtetin amë, të jenë prezent këtu, që të mundësojnë që edhe ne t’i festojmë këto vlera dhe t’i kombinojmë edhe vlerat tona të përditshme”- tha kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

“Unë uroj Rudina Xhungën për këtë libër të jashtëzakonshëm dhe uroj ta pasurojë këtë libër me vëllim të dytë, me krijues të tjerë dhe ju uroj ju për të mirën tuaj shpirtërore dhe për pasurimin e përgjithshëm”- u shpreh akademiku, Rexhep Qosja.

Në këtë përmbledhje janë të intervistuar fitues apo edhe kandidatë për çmimin “Nobël” në letërsi, ndërkohë që autorja, Rudina Xhunga, i premtoi publikut se në të ardhmen do të publikohet edhe vëllim i ri, me emra të rinj të letërsisë së vendit, por edhe të asaj botërore. (Flutura Latifi, TVM2)