Botë

Protesta të dhunshme në Ferguson të SHBA-ve

25.11.2014 16:53

Në qytetin amerikan, Ferguson, të Misurit, kanë shpërthyer protesta të ashpra, pas vendimit të jurisë së madhe që polici i bardhë...

Në qytetin amerikan, Ferguson, të Misurit, kanë shpërthyer protesta të ashpra, pas vendimit të jurisë së madhe që polici i bardhë, Darren Wilson, të mos akuzohet për vrasjen e të riut zezak të paarmatosur, Michael Brown, më 9 gusht.
 
Protestuesit i kanë ndezur makinat e policisë dhe së paku një ndërtesë, dyqanet janë vjedhur, ndërsa në lagjen “Sent Luis” janë dëgjuar të shtëna. P
 
olicia ka përdorë gaz lotsjellës për shpërndarjen e masës së njerëzve, ndërsa autoritetet e aviacionit në Shtetet e Bashkuara kanë shpallur kufizime të përkohshme të fluturimeve. 
 
Obama, tha se duhet të qëndrojmë gjakftohtë ndaj këtyre vendimeve, të cilat mund ta prishin paqen e vendit.
 
“Është vendim i gjykatës, i cili duhet të respektohet. Ju duhet t’i besoni këtyre gjykatave, të cilat punojnë me profesionalizëm dhe drejtësi. Natyrisht se ka amerikanë të cilët janë të pakënaqur dhe të zemëruar nga ky vendim, por edhe ka prej tyre të cilët mendojnë se e kemi marrë vendimin e duhur. Ju apeloj ta ruani qetësinë dhe rendin publik”- deklaroi presidenti i SHBA-ve, Barak Obama.
 
Pjesa më e madhe e protestuesve duket se u shpërndanë mbrëmë vonë, por pas mesnatës, ishte raportuar për vjedhje dhe të shtëna. Në demonstratat në qytetet e tjera, përfshirë Nju Jorkun dhe Los Anxhelosin, protestohet kundër vendimit për këtë rast, i cili i ka aktualizuar përsëri tensionet racore në Shtetet e Bashkuara.
 
Disa njerëz, që thonë se e kanë parë rastin, janë shprehur se polici, Wilson, e ka qëlluar të riun zezak, Brown, pasi ai ishte kthyer nga polici me duart e ngritura lartë, por disa dëshmitarë të tjerë raportohet se i kanë kundërshtuar këto pohime në dëgjimin në jurinë e madhe
 
VALBON BEXHETI