Botë

BE blen 900 milion doza të vaksinës “Pfizer”

13.04.2021 11:30

Bashkimi Europian blen 900 milion doza të vaksinës “Pfizer”, me një çmim më të lartë....

Bashkimi Europian blen 900 milion doza të vaksinës “Pfizer”, me një çmim më të lartë, si pjesë e një kontrate të re për vitin 2022. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri bullgar, Bojko Borisov. “Vaksina “Pfizer” kushtonte 12 euro, por tashmë BE për 2022 dhe 2023 do të nënshkruajë kontrata për 900 milion doza vaksinash me çmimin 19.5 euro”, zbuloi Borisov. BE ka thënë që informacioni mbi çmimet dhe kontratat është konfidencial. Një zyrtar i Komisionit ka konfirmuar se BE po përfundon kontrata për të mbajtur 2 miliardë vaksina në stok gjatë dy viteve të ardhshme. 
 
Britani, vaksinohen mbi 32 milion njerëz
 
Qeveria britanike ka njoftuar se deri tani janë vaksinuar të gjithë personat e moshës mbi 50 vjeç dhe ata të grupeve me rrezik të lartë. Mbi 32 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë tashmë dozën e parë, ndërsa mbi 7.6 milionë kanë marrë dy doza, që do të thotë se janë vaksinuar plotësisht. Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi i parë në botë që ka nisur vaksinimin kundër virusit korona në dhjetor të vitit të kaluar, me vaksinën “Pfizer/BioNTech”. Vaksina tjetër që përdor ky vend është “AstraZeneca”, ndërsa është miratuar edhe “Moderna”. 
 
Austri, dorëhiqet ministri i shëndetësisë
 
Ministri i Shëndetësisë i Austrisë, Rudolf Anschober, ka njoftuar dorëheqjen e tij, pasi ndihet i rraskapitur nga lufta me pandeminë.
 
“Në krizën më të rëndë shëndetësore në dekada, republika ka nevojë për një ministër të Shëndetësisë, i cili është 100% i aftë. Ky, aktualisht, nuk jam unë”, tha ministri austriak duke përmendur problemet me presionin e gjakut. Që në janar të vitit 2020 kur mori detyrën ai tha se nuk ka pasur asnjë ditë të plotë pushimi.
 
OBSh: Vazhdon pabarazia në shpërndarjen e vaksinave 
 
Nga ana tjetër Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se fundi i pandemisë është ende larg. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus kritikoi faktin, që ka pabarazi masive sa i përket vaksinimit mes vendeve të varfra dhe atyre të pasura. Rreth 87 për qind e 700 milionë vaksinimeve në mbarë botën janë realizuar në vendet e pasura.
 
Indi, aprovohet për përdorim vaksina ruse “Sputnik” 
 
Ndërkohë që në vendet e varfra janë realizuar vetëm 0,2 për qind e vaksinave. Në garën për të siguruar vaksina India miratoi përdorimin emergjent të vaksinës ruse “Sputink V”. India, deri më tani, ka administruar mbi 100 milionë doza të dy vaksinave të prodhuara në këtë vend: Covaxin dhe Covishield, që është version i vaksinës “AstraZeneca”. 


GAZMEND REXHEPI