Maqedoni
QAE dhe QHS: komunat nuk janë sa duhet transparente
25.11.2014 17:41
Jo të gjitha komunat janë transparente dhe i informojnë qytetarët për dokumentet buxhetore, sidomos në ueb-faqet e tyre...

Madje disa nga komunat aspak nuk i kanë aktive ueb-faqet, përmes të cilave qytetarët mund të informohen më lehtë dhe më shpejtë.
Nga projekti “Koalicion për monitorim të buxhetit”, Vesna Garvanlieva-Andonova deklaron se me organizatat bashkëpunëtore kanë kryer punimet e kuartalit të parë nga monitorimi i disa komunave të Shkupit.
“Kemi komuna të ndryshme, respektivisht shkallë të ndryshme të transparencës së dokumentacioneve buxhetore, kemi komuna të cilat kanë ueb-faqe të mira, që rregullisht i azhurnojnë dhe i publikojnë dokumentet buxhetore dhe kemi komuna të cilat kanë ueb-faqe jofunksionale, ose vështirë janë të hapura për marrjen e të njëjtave”- deklaroi Vesna Garvanlieva-Andonova nga KMB-ja.
Sipas Agim Selamit nga Instituti ZIP, komunat e monitoruara deri më tani kanë sfida të mëdha me transparencë dhe mundësinë për kyçjen e qytetarëve në proceset e buxhetimit në nivel lokal.
Ai thotë se gjatë monitorimit të komunave Çair, Saraj, Shuto Orizarë dhe Haraçinë qytetarët shumë pak shfrytëzojnë ueb-faqet për t’u informuar, për të parë dokumentet e buxhetit, por dhe shumica e komunave nuk i ofrojnë këto shërbime në ueb-faqet e tyre.
“Këtu kisha dashur t’i lavdëroj, sepse ne kemi hasur në dyer të hapura, sidomos në Komunën e Çairit, në Komunën e Sarajit dhe në Komunën e Haraçinës. Në fakt, në momentin kur u drejtohesh komunave të marrësh informata, janë të hapur dhe mundohen të të ndihmojnë në mënyrë më të mirë të mundshme”- tha Agim Selami nga Instituti ZIP.
Sipas Selamit, hulumtimi i tyre tregon se informatat e karakterit publik, posaçërisht ata që kanë të bëjnë me dokumentet buxhetore të komunave, shumë pak përdoren edhe nga grupet e organizuara dhe shoqëritë civile.
MEFAIL ISMAILI
