Maqedoni

Komiteti i Helsinkit: Ekziston mundësia ligjore për marrjen e shtetësisë

13.04.2021 12:00

Në vlerësimin juridik që ka bërë Komiteti i Helsinkit mbi marrjen e shtetësisë thuhet se zgjidhjet aktuale....

Në vlerësimin juridik që ka bërë Komiteti i Helsinkit  mbi marrjen e shtetësisë thuhet se zgjidhjet aktuale ligjore janë të mjaftueshme për marrjen e shtetësisë dhe evidentimin në librat amë të personave të paregjistruar. Duhet të sigurohet zbatim i dispozitave ligjore deri në fund ndërsa ligji ofron mundësi për marrjen e shtetësisë nga të dy kategoritë e personave të prekur, thonë nga Komiteti i Helsinkit.
 
“Lidhur me rregullimin e statusit të personave pa shtetësi të cilët ishin shtetas të republikave të RSFJ-së, duhet të merren parasysh dispozitat e Ligjit për të huajt të cilat mundësojnë marrjen e vendbanimit të përhershëm, në veçanti nenit 132, i cili parashikon të drejta të veçanta për këto persona të cilët deri më 05.06.2021 mund të paraqesin kërkesë për marrjen e vendbanimit të përhershëm. Kjo është baza që do të mundësojë marrjen e mëvonshme të shtetësisë me natyralizim në përputhje me nenin 7 të Ligji për Shtetësinë.”,- thuhet në vlerësimin e Komitetit të Helsinkit.
 
Ndërkohë dispozitat ligjore sipas Komitetit të Helsinkit mundësojnë evidentimin në librat amë të personave të paregjistruar, të cilët përbëjnë një kategori të personave pa shtetësi. Duhet të merren masa të intensifikuara për regjistrimin e tyre dhe rregullimin statusit thonë në vlerësimin e tyre nga Komiteti i Helsinkit. 
 
“Duhet të mundësohet regjistrimin efektiv dhe në kohë i personave të prekur në mënyrë që ata kenë qasje të papenguar në shërbimet publike. Thjeshtë, duhet t’i jepet mundësi zgjidhjes se përhershme ligjore.”,- thuhet në shkrim.
 
Nëse edhe me zbatimin e dispozitave të përhershme ligjore statusi i personave pa shtetësi nuk rregullohet, atëherë shteti duhet të gjejë zgjidhje për to në përputhje me standardet ndërkombëtare si dhe legjislativën dhe praktikat e BE-së, thonë nga Komiteti i Helsinkit.


NAIM RAMADANI