Maqedoni

Pakoja e pestë ekonomike, VMRO – DPMNE tërhoqi amendamentet për shtetësinë

13.04.2021 14:16

Deputetët e VMRO-DPMNE–së kanë tërhequr amendamentet për ligjin për shtetësi me qëllim të votimit të pakos së pestë të masave ekonomike...

Deputetët e VMRO-DPMNE–së kanë tërhequr amendamentet për ligjin për shtetësi me qëllim të votimit të pakos së pestë të masave ekonomike. Partia e Mickovskit vendosi për një hap të tillë pasi sipas tyre kryeministri zvarrit dakordimet me opozitën shqiptare për ligjin për shtetësi në dëm të qytetarëve dhe ekonomisë. VMRO–DPMNE njëherësh ftoi Aleancën dhe Alternativën të tërheqin amendamentet për pakon e pestë, që e njëjta të votohet nesër.
 
“Do të tërheqim të gjitha amendamentet të ligjit për shtetësi me qëllimin e vetëm që përfundimisht të votohet pakoja e pestë e masave, ndihmë për qytetarët dhe ekonominë. I ftojmë që të njëjtin menjëherë ta vënë në komision, pasi që tani nuk ka pengesa, s’ka amendamente, ta vazhdojnë seancën plenare dhe të votohet për këtë ligj, njëkohësisht ftojmë koalicionin Aleanca për Shqiptarët – Alternativa ti tërheqin amendamentet e pakos së pestë të masave që kompanitë dhe qytetarët të mund të marrin mjetet jo të mjaftueshme dhe të vonuara.”,- tha koordinatori i VMRO–DPMNE–së, Nikolla Micevski.
 
ASh–Alternativa tërheqin amendamentet e tyre
 
Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa konfirmojnë se do të tërheqin amendamentet ndaj pakos së pestë ekonomike, ashtu edhe siç janë deklaruar më herët.
 
“Jemi konform asaj që e kemi deklaruar që më parë në kuadër të debatit për ligjin për shtetësi, tërhiqen amendamentet e bllokadës për ligjin për shtetësi, i tërheqim edhe ne për pakon e pestë ekonomike.”,- tha deputeti i ASh-së, Ilmi Aziri.
 
Ndërkohë kanë vazhduar bisedimet pa sukses midis kryeministrit Zaev dhe liderëve të opozitës shqiptare Sela dhe Gashi. VMRO-DPMNE kërkojnë nga palët që të dalin me një zgjidhje të re ligjore, ndërkohë që presin të konsultohen për versionin përfundimtarë, në të kundërtën nuk përjashtojnë mundësinë e ndërhyrjes me mekanizma të caktuar parlamentar.
 
MERAL ISMAILI