Maqedoni
AAG, vazhdon fushatën “Dhuna nuk është zgjidhje”
25.11.2014 17:43
Asociacioni për Afirmimin e Gruas (AAG), vazhdon fushatën e saj me moton “Dhuna nuk është zgjidhje”, me rastin e “Ditës ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave”...

Në sheshin “Maqedonia” në Shkup, u shpërndanë 5000 broshura, të cilat përmbanin udhëzime të ndryshme për parandalimin e një dukurie të këtillë.
Kryetarja e AAG-së, Ajgyl Sulejmani, tha se qëllimi i kësaj fushate është ndërgjegjësimi i popullatës dhe parandalimi e kësaj dukurie negative.
“Një fushatë e cila ka për qëllim të nxisë aktivizimin rreth vetëdijesimit, ndërgjegjësimit mbi këtë dukuri negative, dhunës në familje, e cila është dukuri negative në nivel global. Me aktivizimin e kësaj fushate, ne vëmë në pah se shkelet një e drejtë njerëzore elementare, një e drejtë e cila është e proklamuar me deklaratën universale të lirive dhe të drejtave të njeriut”- deklaroi kryetarja e AAG-së, Ajgyl Sulejmani.
Për paraqitjen e dhunës në familje ndikojnë disa faktorë, thotë Alije Alimi, ndër ta, ajo thekson faktorin individual, ndikimin familjar dhe faktorin socio-kulturor dhe politik, nga faktorët individual janë: inpulsiviteti, kontrolli i ulët i sjelljes, pamundësia për të qenë i vëmendshëm.
“Tek faktori i dytë, i cili ishte ndikimi familjar, këtu vlen të përmendet se ata persona të cilët kanë jetuar në një rreth ku është ushtruar dhunë, qoftë ajo dhunë fizike, emocionale apo seksuale, këta rriten me bindjen se edhe ata duhet të ushtrojnë dhunë ndaj të tjerëve. Faktori i tretë dhe shumë i rëndësishëm është faktori socio-politik, kulturor. Këtu kemi të bëjmë me një nivel të ulët të kohezionit social dhe të të ardhurave jo të barabarta të njerëzve”- tha psikologja, Alije Alimi.
Asociacioni për Afirmimin e Gruas, paralajmëroi se edhe ditëve në vijim do të vazhdojë me këtë fushatë, duke realizuar ligjërata, tribuna dhe aktivitete të ndryshme në të gjithë territorin e Maqedonisë.
FARIJE DAUTI-BAKIU
