Maqedoni
VMRO-DPMNE: Qeveria ndan honorarë për zyrtarë të LSDM-së
13.04.2021 15:13
VMRO-DPMNE-ja opozitare ka vazhduar me akuzat ndaj LSDM-së dhe Qeverisë...

VMRO-DPMNE-ja opozitare ka vazhduar me akuzat ndaj LSDM-së dhe Qeverisë, duke publikuar disa emra të cilët paguhen si honorarë nga Qeveria, e të cilët në opinion thirren si të pavarur. Në këtë listë u gjendën edhe emra të funksionarëve të lartë të LSDM-së të cilët, siç thonë nga VMRO, paguhen me paratë e Qeverisë, e që le të kuptohet se për Zaevin dhe LSDM-në partia dhe Qeveria është një.
“Përderisa populli nuk ka as tableta e as vaksina për Covid-19, Zaevi çdo muaj paguan djalin e Samka Ibrahimovskit dhe sekretaren e Rashkovskit me para të popullit si honorarë, emra të cilët kanë qenë të fshehtë për opinionin. Demir Ibrahimovski - djali i Samka Ibrahimovskit, përndryshe partner i koalicionit të Zaevit, dhe zëvendësdrejtor i Ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, djali i tij çdo muaj ka marrë nga 40 mijë denarë si honorarë. Po ashtu si honorar një pagë prej 50 mijë denarëve ka marrë edhe profesori, Vanço Uzunov, i cili ishte edhe nënkryetar i LSDM-së. Në listën e honorarëve gjendet edhe Ivana Mitrova - sekretarja e Rashkovskit, e cila ka marrë çdo muaj nga 38 mijë denarë. Edhe kolumnisti i pavarur, Petrit Saraqini, i cili paguhet nga 42 mijë denarë si honorar nga Qeveria. Aty u gjend edhe Marko Mihaillovski - kryetar i LSDM-së, i cili ka marrë para nga Qeveria, ndërsa ka kryer punë të partisë, e ku për Zaevin partia dhe Qeveria është një.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Darko Kostovski.
LSDM: Nikollovski nga VMRO-DPMNE, i përfshirë në skandalin në Azerbajxhan
Por, pa akuza nuk kanë kaluar as kuadrot e VMRO-DPMNE-së të cilët janë akuzuar nga LSDM-ja se të njëjtit çdo ditë përmes organizatave të ndryshe po përfitojnë shuma të mëdha të parave, ku janë të involvuar edhe deputetë të huaj, e të cilët në shtetet e tyre janë dënuar me burg. Sipas LSDM-së, Aleksandar Nikollovski nga radhët e VMRO-DPMNE-së ka pranuar dhurata të mëdha në shtetin e Azerbajxhanit, vetëm me qëllim që zgjedhjet atje të kualifikohen si fer, të lira dhe demokratike.
“Kaloi një javë kur organizata TINK–TENK, por edhe mediume nga Gjermania dhe atyre të vendit, publikuan skandal ndërkombëtar ku është i përfshirë funksionari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski. Ky i fundit së bashku me disa deputetë, eurodeputetë kanë pasur një mision që zgjedhjet në Azerbajxhan t’i kualifikojnë si korrekte dhe për këtë kanë pranuar shuma të mëdha të parave, flori, dhurata të shtrenjta dhe qëndrim në hotele luksoze. Për të njëjtën gjë, deputeti italian, që ishte pjesë e këtij misioni, ishte i dënuar në katër vite burg për pranim në mitos në Azerbajxhan, ndërsa Nikollosvki hesht për këtë rast. Nikollovski duhet të japë shpjegim për këtë rast dhe më pastaj të largohet nga Këshilli Nacional për Eurointegrime, dhe VMRO-DPMNE-ja të propozojë dikë tjetër, sepse ky është pjesë e një skandali ndërkombëtar.”,- u shpreh deputeti i LSDM-së, Konstandin Kostadinov.
Sipas LSDM-së dhe Kostandinovit, deputetët e VMRO-DPMNE-së me veprime të tilla të vazhdueshme po e dëmtojnë rëndë pasqyrën reale të vendit tonë në kuluaret diplomatike, ndërsa vet Nikollovski, sipas partisë në pushtet, edhe më herët kishte qenë i demantuar nga Kombet e Bashkuara dhe institucionet tjera relevante për disa teza të cilat i ka ngritur vet Nikollovski.
FITIM KRYEZIU
