Maqedoni

Kovid-19, vijon pa pengesa procesi i vaksinimit

13.04.2021 15:32

Me vaksinimin e deputetëve, punonjësve në shërbimet e inspektimit, punonjësve të gjykatave dhe prokurorisë...

Me vaksinimin e deputetëve, punonjësve në shërbimet e inspektimit, punonjësve të gjykatave dhe prokurorisë, vaksinimi i infrastrukturës kritike që është drejt fundit po vazhdon paralelisht edhe me imunizimin e personave mbi 77 vjeç. Sipas informacionit zyrtar, rreth 26.000 qytetarë janë vaksinuar, ndërsa interesimi është gjithnjë në rritje. E derisa donacioni i dozave “Sputnik” nga Serbia po shkon drejt fundit, dy mijë vaksina kineze nga prodhuesi “Sinofarm”, donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë arritur mëngjesin e kësaj të marte dhe u transportuan direkt në punktin “Boris Trajkovski”, me të cilat vaksina pritet të vijojë procesi i imunizimit të grupmoshave sipas planit të MSh-së. Qytetarët të cilët ishin për vaksinim në sallën sportive “Boris Trajkovski” shprehen se vaksinimi është zgjidhja për dhënie fund të pandemisë.
 
“Duhet të frikësohen nëse nuk vaksinohen, vaksina është për të na mbrojtur, pa vaksinë jeni të pambrojtur.”,- tha një qytetar.
 
“Vaksinë mirë që kemi edhe pse me vonesë. Vonesë të mirë edhe atë prej 2 muajsh, por megjithatë si mjek u rekomandoj të vaksinoheni.”,- tha një qytetar. 
 
“Totalisht të painformuar dhe është infantile të shpërndahet frikë. Njerëzit duhet të frikësohen nga sëmundja e jo nga vaksina.”,- u shpreh një qytetar. 
 
Personat që kanë alergji ndaj çfarëdo ilaçi nuk mund të vaksinohen, thonë mjekët. 
 
“Ata që kanë alergji nga penicilini apo ilaçe tjera antibiotike dhe që kanë reaksione me të lehta ose të mesme, atëherë mund ta marrin vaksinën, ndërsa nëse janë me reaksione të rënda që rrezikojnë jetën, ato raste nuk guxon të marrin vaksinën.”,- tha mjekja, Xhanan Ademi.
 
“Gjithsej kemi angazhuar 50 vullnetarë, përpos në “Boris Trajkovski”, vullnetar  kemi organizuar edhe në “Jane Sandanski”, “Bukuresht” dhe “Çair”. Detyra jonë është ajo që i presim qytetarët, i shkruajmë nëpër lista dhe pastaj i ndihmojmë të nënshkruajnë patjetër dhe pastaj i drejtojmë në disa punkte të vaksinimit.”,- u tha nga Kryqi i Kuq.
 
Në repartet infektive po trajtohen 1768 pacientë
 
Sa i përket situatës nëpër spitale, gjithsej 1768 pacientë pozitivë dhe të dyshuar për koronavirus po trajtohen në repartet për sëmundje infektive në Shkup dhe në spitalet në qytete të tjera, ndërsa ka rreth 300 shtretër spitalorë të zbrazët,  bën të ditur Ministria e Shëndetësisë. Në 24 orët e fundit, 76 pacientë të rinj u shtruan në spital në Kovid qendrat në Shkup për shkak të ndërlikimeve të koronavirusit. Gjithsej 725 persona të dyshuar dhe të konfirmuar për Kovid-19 po trajtohen në pavijonet e sëmundjeve infektive në kryeqytet. Shumë pacientë janë në mbështetje të oksigjenit. Nga ministria e shëndetësisë gjithashtu njoftojnë se të gjitha repartet infektive kanë furnizim me oksigjen dhe mund të kujdesen për pacientët që kanë nevojë për mbështetje të oksigjenit.
 
ZEKIRJA MEXHITI