Kulturë
Përfundoi “Kolonia e artistëve figurativ” e 60 piktorëve në Shkup
25.11.2014 17:47
60 artistë të pejsazhit nga të gjitha trevat shqiptare realizuan “Koloninë e artistëve figurativ”, e cila gërshetoi në vete kulturën dhe traditën e shqiptarëve...

Pesë ditë reshtë piktorët shqiptarë janë pozicionuar në pjesë të ndryshme të Shkupit dhe kanë pikturuar, në formën që ata e kanë ndjerë, pejsazhe të shumta për të përshkruar kulturën shqiptare.
“Në këtë qytet gjigant të kulturës, artit, letërsisë, shkencës, ku kemi gjetur me të vërtetë një pritje shumë dashamirëse, që na ka nxitur, na ka frymëzuar dhe do të japë rezultatet e veta edhe më tej. Në Shkup ka djem shumë të talentuar, ka një shkollë të mirë dhe ka artistë që marrin pjesë denjësisht në aktivitetet artistike. Pra, është kënaqësia jonë që punuam këto ditë në Shkup”- u shpreh artisti, Kujtim Buzo.
“Kemi pasur një interesim shumë të madh për një bashkëpunim, i cili është shumë i rëndësishëm për ne artistët më të rinj, meqë kemi pasur një elitë tepër të rëndësishme nga Shqipëria dhe Kosova dhe tani nga kjo përvojë krijohet një rrugë e ardhme dhe kjo mund t’i takojë edhe brezit të ri”- tha dekani i Fakultetit të Arteve i USHT-së, Muhamer Sadiku.
Ndërkohë, akademiku, Rexhep Qosja dhe themeluesi i Shtëpisë Botuese “TOENA”, Fatmir Toçi, vlerësuan se piktorët janë pasuri e kulturës kombëtare.
“Këto piktura do ta ruajnë një gjendje të kulturës tonë materiale e shpirtërore, do t’i bëjnë të përhershme ato shtëpi, ato oborre, ato dritare, fusha, male. Do t’i bëjnë të përjetshme, sepse arti është i përjetshëm”- deklaroi akademiku, Rexhep Qosja.
“Unë jam shumë i kënaqur që ky aktivitet u zhvillua kështu, jam i bindur se puna e piktorëve shqiptarë janë një pasuri e kulturës tonë kombëtare. Nuk mund të qëndronte Shkupi, Tetova, rrethinat, ku shqiptarët jetojnë dhe punojnë në trojet e tyre, jashtë programit të madh të promovimit të kulturës shqiptare, që do të jetë në ekspozitën e madhe kombëtare”- theksoi kryetari i SHB-së “TOENA”, Fatmir Toçi.
“Kolonia e artistëve figurativ” u realizua me mbështetje të Qendrës Kulturore Informative, Komunës së Çairit dhe “Librarisë së Çarshisë”.
SANIJE KASAMI
