Maqedoni

Kuvend, deputetët mbështesin strategjinë anti-korrupsion

13.04.2021 19:06

Deputetët në mbështetje të strategjisë kombëtare për ndalimin e korrupsionit...

Deputetët në mbështetje të strategjisë kombëtare për ndalimin e korrupsionit, edhe përkundër përplasjeve të shumta se dokumenti a do të gjejë zbatimin në praktikë. Nga VMRO – DPMNE thanë se strategjia do të mbetet vetëm vizion nëse në diagnostikimin e krimit dhe korrupsionit nuk reagohet me sanksione.
 
“Është shokuese që në vitin 2021 nuk kemi regjistër të vetëm të ndërmarrjeve publike. Nëse kësaj ia shtojmë ndikimin partiak, atëherë përballemi me rrezik nga korrupsioni dhe krimi që s’do sanksionohet, por do të shpërblehet me poste drejtorësh.”,- tha deputetja e VMRO–DPMNE–së, Gordana Siljanovska.
 
Deputeti i shumicës parlamentare, Goran Misovski, tha se sanksionimet kanë munguar në të kaluarën e dyshimtë të ish pushtetit, të cilën sipas tij s’duhet harruar, ndërkohë vlerësoi miratimin e strategjisë. 
 
“Në një konferencë për media kur Nikolla Gruevskit i kërkuan fletë pronësinë, e citoj tha kështu: asnjëherë s’do ua jap, mbani mend këtë. Po ju flas për kohën e luginës së luanëve dhe hienave, ndërkaq ne sot po bisedojmë për strategji.”,- u shpreh deputeti i PRSD-së, Goran Misovski.
 
Nga komisioni antikorrupsion si propozues të strategjisë, thanë se dokumenti I parë I këtij lloji trajton problemet korruptive në 12 sektorë dhe parashikon veprime parandaluese të korrupsionit gjatë punësimeve, procesit të furnizimeve publike dhe të kontrollojë e mbikëqyr marrjen e vendimeve. Është konstatuar se politika ka ndikim të madh në zhvillimin e korrupsionit.
 
“Kjo strategji është e dizajnuar para se gjithash në mënyrë parandaluese të ul rreziqet për korrupsion, nëpërmjet përforcimit të rregullativës, përforcimin e funksionalitetit të institucioneve të sistemit dhe kthimin e besimit në të, forcimin e vetëdijes dhe kyçjen e opinionit në përpjekjet antikorruptive.”,- theksoi kryetarja e Komisionit Anti-Korrupsion, Biljana Ivanovska.
 
Strategjia është përgatitur për pesë muaj me përfaqësues të organeve shtetërore, shoqatave joqeveritare, mediat, BE-në dhe OSBE-në. Gjatë përpilimit janë marrë parasysh: Konventa e Kombeve të Bashkuara, raportet e BE-së dhe percepcionet e qytetarëve. Parashikohet të zbatohet për 5 vitet e ardhshme, ndërkohë që vendi renditet në vendin e 111 sipas shkallës së korrupsionit.
 
MERLA ISMAILI