Botë

Të gjithë mbi 50-vjeçarët në Britani morën një dozë të vaksinës

13.04.2021 21:16

Të gjithë njerëzit mbi 50 vjeç dhe ata të grupeve me rrezik të lartë në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë dozën..

Të gjithë njerëzit mbi 50 vjeç dhe ata të grupeve me rrezik të lartë në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit, bëri të ditur Qeveria britanike.
 
Kjo do të thotë se autoritetet kanë përmbushur qëllimin e tyre për t’iu dhënë dozën e parë nëntë grupeve me prioritet, deri më 15 prill.
 
“Ky është një tjetër moment i jashtëzakonshëm historik në programin tonë të vaksinimit”, tha kryeministri britanik, Boris Johnson.
 
Qeveria tha se është në rrugë të duhur për t’iu ofruar dozën e parë të gjithë të rriturve deri në fund të korrikut.
 
Mbi 32 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë tashmë dozën e parë, ndërsa mbi 7.6 milionë kanë marrë dy doza, që do të thotë se janë vaksinuar plotësisht.
 
Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi i parë në botë që ka nisur vaksinimin kundër koronavirusit në dhjetor të vitit të kaluar, me vaksinën Pfizer/BioNTech.
 
Vaksina tjetër që përdor ky vend është AstraZeneca, ndërsa Moderna është miratuar.
 
Të tria vaksinat duhet të jepen në dy doza për të qenë sa më efektive.
 
Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi.
 
Ajo ka regjistruar numrin më të madh të viktimave në kontinent: mbi 127,000.
 
Në total, mbi 4.3 milionë njerëz atje janë infektuar me koronavirus./evropaelire