Maqedoni
4 të vdekur në Zletovë
25.11.2014 18:00
Në Zletovë, afër Probishtipit, ushtari profesionist, Dragan Manoilov, ka kryer një vrasje të trefishtë, ndërsa më pas ka vrarë edhe veten...

Sipas informacioneve të para të policisë, bëhet fjalë për vrasjen e dy personave të gjinisë mashkullore dhe një grua, ndërsa dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive xhelozie.
Manoilov, në momentin kur e ka kryer vrasjen ka qenë në detyrë zyrtare.
Policia në Shtip, prokurori themelor publik dhe ekipe të SPB-së-Shtip kanë dalë menjëherë në vendin e vrasjes, për të kryer ekspertizën.
“Është konfirmuar identiteti i të dyshuarit, përkatësisht bëhet fjalë për ushtar profesionist të ARM-së nga Zletova, i moshës 40 vjeçare. Pas vrasjes së trefishtë, i dyshuari është drejtuar drejt shtëpisë së tij, përkatësisht në shtëpinë ku kanë jetuar me bashkëshorten, ku fizikisht janë përleshur me vëllanë e saj, gjatë përleshjes ai ka arritur të marrë armën, pushkën automatike zyrtare, për të cilën ekziston dyshimi se është përdorur gjatë vrasjeve dhe i njëjti është arratisur”- deklaroi zëdhënësja e SPB-së-Shtip, Gordana Panajotova.
Edhe ARM-ja, duke e dënuar vrasjen, ka konfirmuar se bëhet fjalë për një pjesëtarë të saj. Njëherit, ka konfirmuar se në bazë të kontrollit mjekësor të ushtarit profesionalist, ai nuk ka pasur probleme shëndetësore dhe psikike.
Ndërkohë, pasi policia është vënë në kërkim të vrasësit, i cili është vënë në ikje, ka gjetur një trup të pajetë, për të cilin është konstatuar se bëhet fjalë për vrasësin e trefishtë, i cili ka kryer vetëvrasje.
SANIJE KASAMI
