Botë
Mitrovicë, kërkohet drejtësi për masakrën e 14 shkurtit 1999
14.04.2021 14:08
Më 14 prill 1999 forcat serbe dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre shumë qytetarë shqiptarë të lagjes “Bair” në Mitrovicë...

Më 14 prill 1999 forcat serbe dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre shumë qytetarë shqiptarë të lagjes “Bair” në Mitrovicë dhe ekzekutuan 31 meshkuj në rrugën e Kovaçëve, që njihet si masakra më e madhe në këtë qytet.
Në 22-vjetorin e masakrës, autoritetet komunale bënë homazhe te lapidari me emrat e viktimave të vrarë nga paramilitarët serbë. Familjarët e viktimave thanë se nuk ndihen të qetë derisa të vihet drejtësia në vend. Sipas tyre, për 22 vjet kriminelët vazhdojnë të jenë të lirë.
Osmani mesazh krerëve Serbë: Mos i ikni drejtësisë, kërkojini falje Kosovës
Ndërkohë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga krerët e politikës serbe që t’i kërkojnë falje Kosovës për krimet që shteti i tyre i bëri në Kosovë. Në një intervistë për mediumin francez, “Liberation”, ajo ka deklaruar se drejtësia është një parakusht për pajtimin.
“Ekziston një tendencë e revizionizmit historik lidhur me atë që ka ndodhur në Kosovë dhe në Bosnje. Disa tentojnë ta bëjnë një ekuivalencë morale ndërmjet politikës gjenocidare të Serbisë dhe atë që disa individë mund të kenë bërë pas luftës. Kjo nuk është e pranueshme: ajo që e ka bërë Serbia ishin vepra të një sistemi shtetëror, jo aksione individuale”, ka deklaruar ajo.
