Dimitrov: Çështjet bilaterale pengesë e eurointegrimeve

15.04.2021 16:14

Eurointegrimi nuk guxon të mbetet peng....

Eurointegrimi nuk guxon të mbetet peng i çështjeve bilaterale. Bllokimi i fillimit të negociatave paraqasëse nuk është në interes të BE-së, Bullgarisë dhe RMV-së, por as edhe i rajonit, vlerësoi zëvendëskryeministri përgjegjës për çështjet evropiane, Nikolla Dimitrov, në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren austriake për Evropën, Caroline Edshtadler.

“Republika e Maqedonisë së Veriut patjetër duhet të fitojë valorizimin e shumëpritur përmes aprovimit të kornizës negociuese dhe mbajtjes së konferencës ndërkombëtare. Janë të nevojshme hapa të vendosura që të kthehet fuqia e vizionit evropian në rajon.  Përafrimi në proceset eurointegruese do të thotë rritje të besimit, ndikim dhe parashikim i perspektivës evropiane në pajtueshmëri me pozicionin austriak, se nuk ka asnjë alternativë tjetër për procesin e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor dhe do të sjellë dinamikë pozitive dhe energji të re për të rritur imazhin e BE-së.”,- deklaroi zëvendëskryeministri përgjegjës për çështjet evropiane, Nikolla Dimitrov.

Edshtadler: Të finalizohet korniza e bisedimeve me RMV-në

Ballkani Perëndimor i përket Evropës dhe BE nuk do të jetë e plotë pa të, tha ministrja austriake, Caroline Edshtadler. Ajo bëri të qartë se Austria nuk e kupton aspak veton e Bullgarisë për Maqedoninë dhe porosit Sofjen t'i japë fund rezistencës.

“Dua t'i bëj thirrje qartë presidencës portugeze që të finalizojë shpejt kornizën negociuese në mënyrë që të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare. Çdo vonesë do të thotë që ne jemi në humbje. Maqedonia e Veriut ndryshoi emrin e saj për t'u afruar me BE-në. Unë sinqerisht do të them se nuk e kuptoj veton bullgare. I bëj thirrje të qartë dhe me zë të lartë Bullgarisë që t'i japë fund kësaj rezistence. Po krijohet një vakum dhe nëse perspektivën e të zgjerimit nuk e realizojmë, ky vakum do të plotësohet nga vende si Kina dhe Rusia.”,- tha ministrja austriake për Evropën dhe Kushtetutën, Caroline Edshtadler.

Zëvendëskryeministri Dimitrov nga Vjena filloi turneun në kryeqytetet e Bashkimit Evropian, në kuadër të përpjekjeve austriake për të intensifikuar procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe angazhimin e Austrisë në trajtimin e pandemisë KOVID-19 dhe sigurimin e ndihmës duke u bazuar në parimin e solidaritetit. (Sanije Duraku, TVM2)