Carovska: Regjistrimi i filloristëve, në formë elektronike

15.04.2021 16:53

Prej këtij viti regjistrimi i nxënësve në klasë të parë....

Prej këtij viti regjistrimi i nxënësve në klasë të parë do të bëhet në formë elektronike, bën të ditur ministrja e arsimit, Milla Carovska.

Ajo njëherit bëri të ditur se edhe nostrifikimi i diplomave të marra jashtë vendit do të bëhet në formë elektronike, ashtu siç do të bëhet edhe aplikimi për bursa të nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme.

“Procesi arsimor dëshmoi se mund të transformohet shpejtë, pasi nëse deri vitin e kaluar konstatonim se arsimtarët nuk kanë qasje në internet dhe se shkollat nuk janë të lidhura me internet, se nuk ka mjaftueshëm kompjuterë, se është i madh numri i nxënësve që nuk kanë qasje te pajisjet digjitale, e shohim se kjo nuk është ashtu.”,- tha Milla Carovska nga MASh.

Në formë elektronike do të mund të aplikojnë edhe komunat për projekte, ashtu siç do të mund të aplikohet edhe për pasaportë, shtetësi dhe dokumente personale.

“Deri në fund të qershorit mund të kemi 30 shërbime të reja në dispozicion të qytetarëve. Këto shërbime i zhvillojmë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e të Hyrave Publike.”,- tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri.

Parashihet që në të ardhmen në formë elektronike të bëhet edhe aplikimi për regjistrim në shkolla të mesme, si dhe në të gjitha konkurset shkencore. Me digjitalizimin e shërbimeve synohet shmangia e pritjes nëpër sportele. (Gyltene Sinani, TVM2)