Mickovski publikon skandalin “Mafia 2”, 20 mijë njerëz kanë të paktën dy numra amë

15.04.2021 18:04

Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski...

Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, ka hapur një aferë që e ka quajtur "Mafia 2", e cila ka të bëjë me përgatitjen dhe lëshimin e dokumenteve personale të njëjtëve me numra të ndryshëm të identitetit.

Ai sqaroi se, përveç çështjes “Mafia”, ku strukturat qeveritare, siç tha ai, "lëshuan pasaporta dhe dokumente për identifikimin e strukturave kriminale", në këtë aferë mund të shihej se "të njëjtët njerëz kanë dy numra amë".

"Sipas informacionit që kemi marrë në Maqedoni, ka mbi 20,000 njerëz që kanë të paktën dy numra amë. Një person me dy certifikata të lindjes, është dy herë në listën e votuesve. Njerëzit me identitet të dyfishtë mund të abuzojnë me institucionet shtetërore.”,- tha Mickoski.

Ai vuri në dukje se Dime Dimovski kishte dy numra amë, aty ndryshojnë vetëm 3 numrat e fundit. Me një numër Dimovski ishte regjistruar në Çair dhe me tjetrin në Saraj. Ose Xhadin Ademovski, me një numër amë ishte regjistruar në Saraj dhe me një tjetër në Çair. Mickoski pyet se si është e mundur kjo, kur në vitin 2016 lista e votuesve u pastrua. Prandaj, ai dyshon se afera ishte zhvilluar vitet e fundit, kur Ministër i Brendshëm është Oliver Spasovski. 

“Nëse atëherë opozita dhe qeveria LSDM-VMRO-DPMNE deklaroi se lista e votuesve është pastruar, d.m.th. numrat e dyfishtë të identitetit janë fshirë, atëherë si sot ekziston dyshimi për rreth 20,000 numra të dyfishtë amë dhe si drejtorit të drejtorisë për udhëheqjen e librave amë i mungojnë 100,000 formularë. E gjithë kjo jep dyshime se diçka ka ndodhur në 4 vitet e fundit.”,- ka thënë Mickoski.

Ditë më parë nëntë nëpunës të MPB-së janë arrestuar si pjesë e aferës “Mafia”. Ata janë pjesë e rrjetit për të cilin ekzistojnë dyshime se kanë falsifikuar pasaporta dhe letërnjoftime që më pas ua kanë ndarë anëtarëve të nëntokës së vendeve ballkanike. (Sanije Duraku, TVM2)