MPB: Dukuria e këtillë ka filluar në vitin 1981
Problemi me numra të dyfishtë të amzës ka filluar në vitin 1981...

Problemi me numra të dyfishtë të amzës ka filluar në vitin 1981 dhe se pas zbulimit menjëherë është vepruar për të fshirë këta numra amëz dhe se kjo procedurë tashmë një periudhë të gjatë është duke vazhduar.
Me këtë reagim dolën nga MPB, pas pretendimeve të kreut të opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickosvskit, për, siç aludonte, se në Maqedoninë e Veriut ka së paku 20.000 persona që kanë nga dy numra amëz.
“Ministria e Punëve të Brendshme në lidhje me konferencën e sotme për shtyp të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovskit, informon opinionin se kjo dukuri ka filluar në vitin 1981 dhe se pas zbulimit, menjëherë është vepruar në anulimin e këtyre numrave amëz dhe kjo procedurë që një kohë të gjatë është në rrjedhe e sipër, ndërsa një pjesë e këtyre numrave janë fshirë. Për këtë ka folur edhe ministri, Oliver Spasovski, në intervistën e djeshme në TV KANAL5. Gjegjësisht, ky fenomen është shfaqur në vitin 1981, kur ka filluar të implementohet identifikimi dhe regjistrimi elektronik i numrave personal të identifikimit. Procedura për anulimin e këtyre numrave ka vazhduar për një kohë të gjatë dhe po vazhdon, dhe shumë prej këtyre numrave amëz janë fshirë. Deklarata se në RMV ka 20.000 numra të dyfishtë amëz është e pabazuar dhe e paargumentuar, duke pasur parasysh të dhënat e evidentuara që disponon Ministria e Brendshme. Numri amëz i qytetarit sipas ligjit ekzistues përcaktohet sipas vendit të regjistrimit të shtetasit në regjistrin e lindjeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.”,- thuhet mes tjerash në reagimin e MPB-së. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
