Rasti “Lidhja Ndërkombëtare”, dëshmoi biznesmeni Resul Lloga
Ka vazhduar procesi gjyqësor për rastin “Lidhja Ndërkombëtare”....

Ka vazhduar procesi gjyqësor për rastin “Lidhja Ndërkombëtare”, ku si i akuzuar kryesor për mashtrimin në ndërtimin e shtëpive për të moshuar është Bojan Jovanovski - Boki 13.
Në seancën e sotme dëshminë e tij e ka dhënë biznesmeni, Resul Lloga, pronar i Kompanisë “Drim Bilding”, i cili ka përmendur edhe emrin e ish deputetes së LSDM-së, Frosina Remenski, e cila sipas tij disa herë ka marrë pjesë në mbledhjet, por edhe deputetin e LSDM-së, Aleksandar Kiracovski.
Ky i fundit, sipas Llogës disa herë ishte parë tek Organizata “Lidhja Ndërkombëtare”, por nuk ka marrë pjesë në mbledhjet.
Lloga personalisht nuk kishte marrë pjesë në këto mbledhje, por Kompaninë e ka përfaqësuar, Ardijan Amzoski. Lloga si pronar i Kompanisë “Drim Bilding” ka qenë një ndër biznesmenët e mashtruar nga Organizata “Lidhja Ndërkombëtare”.
“Bojan Jovanovskit i dhashë 350 mijë euro, para kesh, ndërsa pastaj sipas marrëveshjes në faturë të Jasna Mandiq – Ercegoviq e cila ishte zëvendëskryetar e “Lidhjes Ndërkombëtare” kam paguar 16 milion e 100 mijë denarë për të drejtat autoriale. Frosina Remenska disa herë ka marrë pjesë në mbledhjet, ndërsa ish deputeti, Aleksandar Kiracovski, është parë në “Lidhjen Ndërkombëtare”, por në mbledhjet nuk ka marrë pjesë. Projektit të “Lidhjes Ndërkombëtare” i besova gjatë bisedave, sepse në këtë projekt kishte edhe persona nga Qeveria siç ishte Frosina dhe në disa raste edhe Kiracovski.”,- tha pronari i Kompanisë “Drim Bilding”, Resul Lloga.
Lloga po ashtu potencoi para gjykatës se obligimet e “Lidhjes Ndërkombëtare” ishin që në afat prej 90 deri më 180 ditë ti plotëson detyrimet e saja, por kjo nuk kishte ndodhë, e më pas Lloga kishte vendos që ti kërkon mjetet nga Bojan Jovanovski.
Ky i fundit biznesmenit Lloga i kishte kthyer 155 mijë euro, ndërsa për kohë të shkurt i kishte premtuar se do ta kthen edhe pjesën tjetër.
Gjatë seancës disa pyetje i kishte parashtruar edhe Boki 13 i cili tregonte se nuk bëhet fjalë për mashtrim.
“A do të pajtoheshit edhe ju se personi i cili ua kthen shumë e parave të marra , nuk bëhet fjalë për mashtrues”,- tha Bojan Jovanovski – Boki 13.
Në rastin “Lidhja Ndërkombëtare” përveç Bojan Jovanovskit si i akuzuari i parë, Jasna Mandiq – Ercegovic dhe asistentja Hristina Bllazhevska akuzohen për ndihmë, ndërsa Frosina Remenski akuzohet për ndihmës në veprimin mashtrim.
I akuzuar është edhe i ati i BOKI 13, Mile Jovanovski si dhe personi juridik nga Organizata “Lidhja Ndërkombëtare”. (Fitim Kryeziu, TVM2)
