Maqedoni

Ligji mbi lojërat e fatit, ASOM: Do marrim të gjitha masat të mos miratohet

16.04.2021 13:40

Teksa shumë qytetarë janë të shqetësuar me ekzistencën e bastoreve sportive shumë pranë vendbanimeve e shkollave...

Teksa shumë qytetarë janë të shqetësuar me ekzistencën e bastoreve sportive shumë pranë vendbanimeve e shkollave, Shoqata e Basteve Sportive kërkon që në ndryshimet në Ligjin për Lojërat e Fatit, të hiqet propozimi që bastoret të mos lejohet të ekzistojnë më pak se 500 metra larg shkollave sepse kjo sipas tyre do të mbyllë mbi 90% të objekteve aktuale. Sipas tyre, nëse qeveria nuk tërheq ndryshimet ligjore, 8,000 qytetarë do të mbeten pa punë. Përmes protestave, paralajmëruan se do ta pengojnë miratimin e ligjit në Kuvend.
 
"Distanca prej 500 metrash është plotësisht e papranueshme dhe e panegociueshme. Për më tepër, duhet të bëjet ulja e tarifave në një nivel të arsyeshëm në mënyrë që të jetë e dobishme ekonomikisht për organizatorët. Tarifat e propozuara janë plotësisht jologjike dhe të larta. Le t'ju kujtojmë, për momentin në Maqedoni organizatorët e lojërave të fatit paguajnë tarifat më të larta në Evropë të cilat Qeveria dëshiron t'i shtojë edhe më shumë. Qëllimi i një propozimi të tillë, nuk është promovimi i industrisë, mbrojtja e lojtarëve ose rritja e të ardhurave të buxhetit. Ky projektligj nuk do ta arrijë atë sepse objektet do të mbyllen, taksat nuk do të merren dhe buxheti do të humbasë mbi 250 milion euro në  të gjitha parametrat  me të cilat lojërat e fatit kontribuojnë në buxhetin e shtetit. Pa hezitim, ne themi se ky është një propozim vdekjeprurës që do ta gjunjëzojë ekonominë. Për ilustrim, 54,000 njerëz direkt dhe indirekt fitojnë të ardhura të rregullta nga kjo degë. Familjet e tëra do të mbeten pa të ardhura. Ky ligj do të rrisë drejtpërdrejt papunësinë e të rinjve dhe do të lërë shumë të rinj pa perspektivë.", tha Vasko Ilijevski, kryetar i ASOM-it.