Maqedoni

Sulmuesi në Indianapolis ka qenë ish-punonjës në FedEx

17.04.2021 13:50

Sulmuesi, i cili ka shtënë me armë zjarri në kompaninë e shërbimeve postare FedEx në Indianapolis...

Sulmuesi, i cili ka shtënë me armë zjarri në kompaninë e shërbimeve postare FedEx në Indianapolis dhe ka lënë të vdekur tetë persona, para se ta vriste edhe veten, ka qenë ish-punëtor me histori të sëmundjeve mendore, kanë thënë zyrtarët më 16 prill.
 
Ky njëherësh është incidenti më i ri me të shtëna masive në Shtetet e Bashkuara, ndonëse të tilla janë raportuar edhe muajin e kaluar, çka ka rritur presionin te ligjvënësit për të marrë vendime që çojnë në ndalje të dhunës.
 
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se Kongresi duhet të ndalojë armët e stilit ushtarak dhe ato me sasi të madhe të municionit.
 
“Kjo gjë duhet të marrë fund. Ky është turp kombëtar”, ka thënë Biden nga Shtëpia e Bardhë.
 
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki ka thënë më herët gjatë të premtes se Kongresi duhet t’iu mundësojë viktimave që të padisin prodhuesit e armëve.
 
Autoritetet që kanë hetuar të shtënat kanë thënë se sulmi është kryer nga një 19-vjeçar, historia mendore e të cilit ka rezultuar me ndalimin e tij vitin e kaluar.
 
Dëshmitarët kanë thënë se sulmuesi ka shtënë më pushkë në parkingun e kompanisë më 15 prill, dhe më pas ka hyrë edhe në ndërtesë, duke lënë viktima brenda dhe jashtë, para se ta vriste edhe veten.
 
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka thënë se i dyshuari ka qenë në një qendër ndalimi për personat me probleme mendore në mars të vitit 2020, pasi nëna e tij ka kontaktuar zyrtarët ligjorë për sjelljen e djalit të saj.
 
Atëbotë FBI-ja i ka konfiskuar një armë dhe e ka intervistuar.
 
Ende nuk është e qartë se si e ka siguruar sulmuesi armën e përdorur më 15 prill./evropaelire