Maqedoni

Anketë e IHPSh: 57% e qytetarëve dëshirojnë të vaksinohen

17.04.2021 14:42

Një anketë e Institutit për Hulumtime Politike në Shkup ka rezultuar se 57,7 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut...

Një anketë e Institutit për Hulumtime Politike në Shkup ka rezultuar se 57,7 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dëshirojnë të vaksinohen me vaksinën anti Kovid, 24,5 kanë thënë se nuk do të vaksinohen, ndërsa 17,8 janë në dilemë.

Fajzer dhe Sputnik V janë vaksinat më të preferuara nga qytetarët, pasi në pyetjen se cilën vaksinë do ta marrin, 21,8 për qind janë shprehur  për “Sputnik V”, 21,6 për “Fajzer”, 13,8 për cilëndo qoftë, 6,2 për “Astra Zenekan”, 4,4 për qind për “Sinofarm” dhe 3,1 për “Moderna”.

Në pyetjen e njëjtë 16,1 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se nuk do të marrin asnjë vaksinë, ndërsa 12,7 për qind ende nuk kanë vendosur  se me cilën vaksinë do të imunizohen.

Sa i përket mënyrës së menaxhimit me pandeminë nga ana e institucioneve, 46,1 për qind e të anketuarve konsiderojnë se shteti ballafaqohet më keq nga vendet e rajonit, ndërsa 32,6 për qind janë shprehur se Maqedonia e Veriut ngjashëm ballafaqohet sikur edhe vendet tjera.

Hulumtimi është zbatuar në telefon në periudhën prej 11 deri më 14 prillit të këtij viti me 1112 të anketuar të moshës së rritur, nga i tërë vendi. Hulumtimi është realizuar me shfrytëzimin e një mostre të ngjashme të certifikuar që të ruhet përfaqësimi i popullatës në vend.

Sipas Institutit për Hulumtime Politike, në hulumtim janë ruajtur specifikat demografike të popullatës si strukturë  gjinore, grupmoshat,  shkalla e arsimit dhe përkatësia etnike, me ndarje adekuate të të anketuarve sipas vendit të jetesës dhe përfaqësimit rajonal, me atë që Shkupi është marrë si tërësi e veçantë për shkak të veçorive të saj.

Nga Instituti theksojnë se të gjitha hulumtimet i nënshtrohen gabimit statistikor i cili arrin plus, minus tre për qind.  Në Maqedoninë e Veriut aktualisht është në rrjedhë e sipër vaksinimi i personave të moshës 73 dhe 74 vjeçare, që janë paraqitur për vaksinim nëpërmjet mjekut amë, apo ueb faqes për vaksinim, si dhe të punësuarit në infrastrukturën e rrezikuar.

Deri tani janë vaksinuar mbi 35 mijë qytetarë të vendit, me vaksinat “AstraZeneca”, “Sputnik V”, “Fajzer” dhe me vaksinat kineze. Më 19 dhe 26 prill, pritet të arrijnë rreth 10 mijë vaksina “Fajzer”, ndërsa më 28 prill pritet të arrijnë 200 mijë vaksina kineze.

GYLTENE SINANI