Maqedoni

Pakoja e pestë anti-krizë, kryeparlamentari cakton seancë të dielën

17.04.2021 15:34

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, caktoi për të dielën seancën për pakon e pestë ekonomike...

Fillimisht në ora 14 do të votohen ligjet e seancës së 32 dhe më pas do të kalohet në seancën e 36-të ku janë të planifikuara ligjet e pakos së pestë.
 
Kryeparlamentari Talat Xhaferi ka ftuar gjitha partitë që të vijnë në seancë përfshi edhe deputetët e VMRO – DPMNE-në, pasi paguhen si deputetë e jo për të zbatuar axhenda partiake.
 
Deri më tani është e panjohur nëse deputetët e VMRO – DPMNE – së do të marrin pjesë në seancën e nesërme, që të formohet kuorumi i nevojshëm për votim, pasi tre deputetë të shumicës janë pozitiv me virusin korona. 
 
Nga LSDM ftuan opozitën të veprojë me seriozitet në kuvend në interes të qytetarëve.
 
“VMRO – DPMNE në vend se të bëj show me protesta të pabaza, është koha që të fillojë të sillet me përgjegjësi drejt qytetarëve. Në vend se para ministrisë së shëndetësisë, deputetët e VMRO – DPMNE-së të hyjnë në kuvend dhe të miratohen ligjet për ndihmë financiare ndaj qytetarëve të prekur nga kriza, të cilët po luftojnë për ekzistencë.”,- tha zëdhënësja e LSDM–së, Bogdanka Kuzeska.
 
Socialdemokratët shpresojnë në prezencën e deputetëve të opozitës shqiptare, pas arritjes së marrëveshjes për shtetësi. Nëse kjo nuk ndodh atëherë nuk përjashtojnë mundësinë që deputetët e infektuar të vijnë me skafandër në parlament.
 
Por opozita shqiptare ASH-Alternativa kanë paralajmëruar se deputetët e tyre do të marrin pjesë në seancën e së dielës për të bërë kuorumin e nevojshëm. 
 
Pakoja e pestë, të enjten nuk arriti në miratohet pas situatës së tensionuar. Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, insistoi që fillimisht të votohen ligjet e seancës së 32-të të cilat me muaj presin për t’u votuar dhe më pas masat anti-krizë.
 
Me këtë rend të ditës nuk u pajtuan deputetët e VMRO–DPMNE–së të cilët kërkonin të kundërtën. Ata hodhën dyshimet se pakoja e pestë s’do votohet në mungesë të parave në buxhet dhe refuzuan që të bëjnë kuorum për ligjet e tjera të rendit të ditës.
 
MERAL ISMAILI