Maqedoni

“Non Paperi” për kufijtë e Ballkanit, Osmani: RMV nuk ka nevojë për shqetësim

17.04.2021 17:02

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani duke komentuar informacionet e fundit lidhur me “non paperin”...

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani duke komentuar informacionet e fundit lidhur me “non paperin”, për ndryshimin e kufijve të Ballkanit, ka deklaruar se Marrëveshja Kornizë e Ohrit në nivel shtetërorë, dhe integrimi euro-atlantik i rajonit janë dy modele që kanë dëshmuar sukses në tentativat për të krijuar paqe të qëndrueshme në rajon.
 
Sipas tij me intensifikimin e debatit për mbylljen e çështjeve të mëdha në rajon do të shfaqen spekulime të ndryshme, prandaj ai e sheh zgjidhjen në integrimin euro-atlantik të rajonit.
 
Osmani gjithashtu ka shprehur bindje, se strategjia e vendit që në gjashtë mujorin e dytë të vitit do të marr kryesimin me BE-në, nuk ka ndryshuar ndaj rajonit Ballkanik, por ai shtoi se, Maqedonia e Veriut duhet të jetë e kujdesshme për këto pretendime, pasi siç tha, nuk ka fakte për të njëjtat. 
 
“Është me rëndësi që edhe në këto spekulime edhe në këto debate pa autorë Maqedonia e Veriut nuk është përmendur në të, sepse ne jemi në NATO dhe askush nuk e sheh më Maqedoninë e Veriut si pjesë e debateve të tilla për ndryshim të kufijve. Por, veçanërisht duke pasur parasysh atë që thash paraprakisht se dy modele sipas meje  janë treguar të suksesshme. Në nivel shtetëror është Marrëveshja e Ohrit dhe në nivel rajonal në marrëveshjen euroatlantike. Nuk jam fare i shqetësuar për Maqedoninë e Veriut në këtë debat, por për paqen dhe stabilitetin në rajon.”,- tha ministri i jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani. 
 
Osmani u pyet të komentojë shkrimet e 15 prillit në portalin slloven “pacensurë” i cili ka publikuar kopjen e pretenduar të ashtuquajturit non pejper, ku me titull “Ballkani Perëndimor - rruga përpara”, pretendohet se kryeministri slloven, Janez Jansha, propozon “zgjidhje” që përfshijnë “bashkimin e Kosovës me Shqipërinë” dhe “bashkimin e një pjese më të madhe të territorit të Republikës Sërpska me Serbinë” teksa propozon status të veçantë - duke ndjekur modelin e Tirolit të Jugut, provincës kryesisht gjermanishtfolëse në veri të Italisë - për “pjesën serbe të Kosovës” ndërsa ashtu sugjeron ose “bashkimin e kantoneve kryesisht kroate të Bosnje e Hercegovinës me Kroacinë, ose dhënien e statusit të veçantë për pjesën kroate të Bosnje e Hercegovinës”.
 
Shkrimet e tilla janë mohuar nga zyrtarët Slloven, përfshirë dhe shefin e diplomacisë sllovene me të cilin Osmani tha se ka realizuar një bisedë telefonike rreth kësaj çështjeje. 
 
NAIM RAMADANI